Pas dështimit për të kaluar pragun, Molliqaj: Rezultati nuk ishte ai që prisnim, por beteja jonë politike vazhdon
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat subjekti që ai drejton nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PSD-ja ka siguruar rreth 1,883 vota në nivel vendi. Përmes një video-mesazhi drejtuar mbështetësve, Molliqaj…
Lajme
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat subjekti që ai drejton nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PSD-ja ka siguruar rreth 1,883 vota në nivel vendi.
Përmes një video-mesazhi drejtuar mbështetësve, Molliqaj pranoi se rezultati nuk ishte ai që partia kishte synuar, por theksoi se angazhimi politik i PSD-së nuk varet vetëm nga numri i votave të fituara.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk doli ai që dëshiruam dhe që pritëm. E vërteta është se angazhimi ynë për politikë është përtej rezultateve. Kjo nuk nënkupton që nuk i duam votat dhe rezultatet, por jo me çdo kusht”, u shpreh Molliqaj.
Ai falënderoi të gjithë ata që, sipas tij, kanë ndjekur, shpërndarë, mbështetur, diskutuar apo kritikuar qëndrimet e PSD-së gjatë fushatës zgjedhore.
Molliqaj vlerësoi se rezultati i dobët nuk lidhet vetëm me mungesën e mbështetjes elektorale, por edhe me atë që ai e quajti refuzim të qytetarëve për ta votuar PSD-në në këto zgjedhje.
“Më shumë mund të them se ishte refuzim për ta votuar PSD-në sesa vetë rezultati i dobët”, deklaroi ai.
Kreu i PSD-së tha se pas këtij rezultati para partisë qëndrojnë dy rrugë: dorëzimi ose vazhdimi i betejës politike.
Sipas tij, PSD-ja ka zgjedhur rrugën e dytë dhe do të vazhdojë angazhimin politik me synimin për t’i bindur qytetarët për idetë dhe programin e saj.
“Ky rrugëtim nuk ka nisur dje dhe nuk përfundon sot. Do ta vazhdojmë bashkë, sepse Kosova ka nevojë për demokraci dhe për ide politike. Ne jemi një grup politik që angazhohet rreth ideve politike dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Molliqaj.
Deklarata e tij vjen pasi PSD-ja mbeti larg pragut zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja. /Lajmi.net/