Pas deklaratës skandaloze për “900 banda kriminale”, reagon Osmani: Ka qenë gabim i paqëllimshëm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje deklaroi se gjatë këtyre pesë viteve kanë “çmontuar” 900 banda kriminale në Kosovë. Deklarata e Osmanit bëri bujë të madhe pasi kësisoj i bie se Kosova është një vend me krim të lartë, biles me numër të bandave më të shumta se Kolumbia e Meksika- dy vende që njihen…
Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje deklaroi se gjatë këtyre pesë viteve kanë “çmontuar” 900 banda kriminale në Kosovë.
Deklarata e Osmanit bëri bujë të madhe pasi kësisoj i bie se Kosova është një vend me krim të lartë, biles me numër të bandave më të shumta se Kolumbia e Meksika- dy vende që njihen për numër të lartë të bandave kriminale.
Deklarata e Osmanit u komentua jashtëzakonisht shumë, e padyshim ngriti edhe pikëpyetje në lidhej me këto shifra, transmeton lajmi.net.
Pas kësaj, në një deklarim për media, Vjosa Osmani tha se dje është dhënë një sqarim zyrtar, por sipas saj në mendje ka pasur numrin e rasteve e jo numrin e bandave.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve”,deklaroi Osmani.
Pas kësaj, Osmani tha gjithashtu se vetëm 93 raste janë evidentuar ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as Politico nuk e ka përdorur atë pjesë”.tha Osmani.
Përpos kësaj, presidentja Osmani tha se “Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”./Lajmi.net/