Pas debateve, Peci humbet kundër Tahirit edhe në PZAP – ankesa e tij cilësohet si e pabazuar

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), lidhur me një fotografi ku shihen përfaqësues të kësaj partie bashkë me një klerik fetar në Mitrovicë. Ankesa ishte dorëzuar nga kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci,…

Lajme

20/09/2025 20:46

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), lidhur me një fotografi ku shihen përfaqësues të kësaj partie bashkë me një klerik fetar në Mitrovicë.

Ankesa ishte dorëzuar nga kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili pretendonte se fotografia dëshmon përfshirje të elementeve fetare në fushatë zgjedhore – një veprim i ndaluar sipas rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), transmeton lajmi.net

Si provë, LVV kishte paraqitur një fotografi të publikuar disa ditë më parë në rrjete, ku shiheshin kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, dhe Bedri Hamza në shoqëri të hoxhës së njohur, Fatmir Latifi. Por gjatë shqyrtimit të rastit, PZAP ka konstatuar se fotografia nuk dëshmon se është realizuar gjatë periudhës së fushatës, e as se përfaqëson një aktivitet politik.

Në vendimin e datës 20 shtator 2025, PZAP vlerësoi se ankesa e LVV-së është “e pabazuar, sipërfaqësore dhe jo e konkretizuar”, duke shtuar se fotografia nuk përbën provë të mjaftueshme për shkelje të rregullave zgjedhore.

Paneli përmbyll se as subjekti ankues dhe as prova e ofruar nuk kanë dëshmuar në mënyrë të qartë që fotografia është e ndërlidhur me ndonjë veprimtari elektorale gjatë fushatës. Për rrjedhojë, ankesa u refuzua në tërësi./lajmi.net/