Pas asaj në Pejë edhe dega e LDK-së në Lipjan kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut
Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, ka mbajtur sot mbledhje me kryetarët e nëndegëve në këtë komunë, ku kanë falenderuar të gjithë për angazhimin në zgjedhjet e 7 qershorit. Ata kanë analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Ndonëse vota për LDK-në në degën tonë është pothuajse e përsëritur në raport me zgjedhjet e dhjetorit 2025,…
Lajme
Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, ka mbajtur sot mbledhje me kryetarët e nëndegëve në këtë komunë, ku kanë falenderuar të gjithë për angazhimin në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ata kanë analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
“Ndonëse vota për LDK-në në degën tonë është pothuajse e përsëritur në raport me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 6,338 vota apo 19.40% në zgjedhjet e dhjetorit në 6,455 vota apo 23.60% në zgjedhjet e qershorit 2026, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan vlerëson se ky rezultat mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh të strukturave të degës. Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror; prandaj, përgjegjësia për rezultatin duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak”, thuhet në komunikatë.
Ata kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet.
“Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia”, thuhet në njoftim.
Ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit të qytetarëve.
“LDK në Lipjan mbetet një degë e konsoliduar, e cila ka shënuar fitore në katër palë zgjedhje lokale radhazi, ndërsa tri herë ka fituar pa balotazh dhe pa pasur nevojë për koalicione. Kjo dëshmon mbështetjen e qëndrueshme qytetare dhe kapacitetin organizativ të degës. Vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformimit të brendshëm, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse në vend”, thuhet në reagim. /Lajmi.net/