Pas artikullit fyes për UÇK-në, Basha bën homazhe në Prekaz e thur lavde për ta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me nënkryetaren Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në Prekaz, vendin ku Basha tha se “liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari” Basha përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së…

Lajme

03/09/2025 13:35

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me nënkryetaren Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në Prekaz, vendin ku Basha tha se “liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari”

Basha përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.

Ai ka thënë se Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut.

“Pas Prekazit heroik, vazhdova me nderime në vendin ku pushon Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak. Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991. Homazhet i përfunduam te Memoriali “Heroinat”, ku përkujtojmë mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi fashist i Millosheviqit. Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”, ka shkruar Basha.

Ai ka thënë se është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre.

Basha pak ditë më parë ka kërkuar falje për një artikull ku kishte shkruar fjalë të rënda për UÇK-në e ku specifikisht thuhej se “UÇK furnizohej nga para të drogës”.

Ai ka thënë se nuk e kishe lexuar komplet pamfletin ku ishte bashkëautor dhe kishte shkruar plotësisht një artikull. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë në Facebook: