Pas aksidenteve fatale, nënshkruhen kontratat për sanimin e rrëshqitjeve në autoudhën “Ibrahim Rugova”- ministria tenton edhe të arsyetohet

Një numër i madh i aksidenteve të trafikut janë raportuar në vazhdimësi në autostradën “Ibrahim Rugova”. Në të shumtën e rasteve këto aksidente ndodhën pikërisht në pjesën ku shembja e dheut e gurëve ishte bërë përditshmëri. E është dashur shumë aksidente, e humbje jetësh që Ministrisë së Infrastrukturës “t’i dal gjumi” i thellë në të…

Lajme

15/06/2026 14:47

Një numër i madh i aksidenteve të trafikut janë raportuar në vazhdimësi në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Në të shumtën e rasteve këto aksidente ndodhën pikërisht në pjesën ku shembja e dheut e gurëve ishte bërë përditshmëri.

E është dashur shumë aksidente, e humbje jetësh që Ministrisë së Infrastrukturës “t’i dal gjumi” i thellë në të cilin është futur dhe s’ka parë para syve se çfarë po ndodhte në këtë anë.

Një aksident i ngjashëm i mori jetën të dielën një gruaje, ndërsa i lënduar mbeti edhe një person tjetër- pikërisht si shkak i aksidenti të ndodhur në këtë anë.

Kurse tani, ministria njofton se janë nënshkruar kontratat për sanimin e skarpateve në autoudhën R7, “Ibrahim Rugova”.

Në disa segmente të kësaj autoudhe, rrëshqitjet e dheut kanë ngushtuar korsitë e qarkullimit, duke ngritur shqetësime të vazhdueshme për sigurinë në trafik. Ditëve të fundit pati reagime të shumta nga ekspertë të sigurisë rrugore, të cilët kërkuan ndërhyrje urgjente për largimin e dheut dhe sanimin e zonave problematike.

Sipas njoftimit të ministrisë, pas përfundimit të procedurave të prokurimit dhe shqyrtimit të ankesave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), janë nënshkruar kontratat për tri lote të veçanta:

Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 72.4, me vlerë 2,087,952.94 euro;

Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në kilometrat 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 euro;

Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 44.0, me vlerë 1,398,964.85 euro.

Vlera totale e projektit arrin në 4,673,997.88 euro.

Ministria ka bërë të ditur se mobilizimi i operatorëve ekonomikë dhe fillimi i punimeve pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

E pas kritikave të shumta në këtë drejtim, nga ministria u tha se projekti ka qenë në shqyrtim në OSHP dhe se nuk ka pasur mundësi ligjore të ndikojë në procesin e vendimmarrjes derisa procedurat të përfundonin.

Sipas ministrisë, ndërhyrjet synojnë rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore në një nga akset më të rëndësishme të vendit./Lajmi.net/