Pas 30 vitesh uzurpim, familja Onbashi rikthen pronën në veri të Mitrovicës

Pas tri dekadash pritje, familja Onbashi ka arritur të kthejë në pronësi dhe posedim banesën e saj në pjesën veriore të Mitrovicës. “Sot, më 16 korrik 2025, pas një periudhe prej 30 vitesh uzurpimi të padrejtë, familjes sonë i është kthyer në pronësi dhe posedim banesa në pjesën veriore të Mitrovicës,” tha për RTKlive pronari…

Lajme

17/07/2025 08:33

Pas tri dekadash pritje, familja Onbashi ka arritur të kthejë në pronësi dhe posedim banesën e saj në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Sot, më 16 korrik 2025, pas një periudhe prej 30 vitesh uzurpimi të padrejtë, familjes sonë i është kthyer në pronësi dhe posedim banesa në pjesën veriore të Mitrovicës,” tha për RTKlive pronari Seid Onbashi.

Ai u shpreh se rikthimi në banesë është një ndjenjë e veçantë. “Pas 30 viteve pritje, u rikthyem në banesën tonë në veri të Mitrovicës. Një ndjenjë e veçantë, aty ku kaluam fëmijërinë, aty ku ruhen kujtimet më të çmuara. Nuk është thjesht një banesë, është kthimi në rrënjët tona. E drejta triumfoi”, deklaroi ai.

Onbashi theksoi rolin e nënës së tij gjatë gjithë kësaj periudhe. “Nëna ishte ajo që asnjëherë nuk u dorëzua”, tha ai.

Seidi falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në këtë proces. “Falënderoj Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe udhëheqësin e saj në Mitrovicë, Erblin Macula, Policinë e Kosovës dhe avokatin Ubejd Gashi”, tha ai.