Pas 13 vitesh në udhëheqje të Gjilanit, Lutfi Haziri ia dorëzon komunën Alban Hysenit

Në Komunën e Gjilanit sot është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të ri të kësaj komune.

Lajme

09/12/2021 11:12

Alban Hyseni nga sot do të jetë zyrtarisht kryetar i Komunës së Gjilanit. Ai pranoi sot nga ish-kryetari Lutfi Haziri, i cili u shpreh i lumtur që pas 13 vitesh në udhëheqje, po e dorëzon detyrën tek kryetari i ri që vie nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të njëjtit me këtë rast kanë bashkëbiseduar lidhur me Gjilanin dhe punët që e presin kryetarin e ri.

Me këtë rast Haziri ka uruar Hysenin duke thënë se Gjilani ka me ec në drejtimin dhe vizionin në të cilin është nis.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur edhe sot që pas një shërbimi më shumë se 13 vite në komunën e Gjilanit si kryetar në kohë të ndryshme, sot po e përfundojë mandatin e dytë të rregullt dhe po e dorëzojë tek kryetari i zgjedhur, tek kryetari i Komunës sonë që ka me qenë kryetar i të gjithëve duke përfshirë edhe kryetari i mi. Në realizimin e detyrave i urojë kryetarit Hyseni shëndet, mbi të gjitha lus që ta përcjell suksese, një angazhim i tij personal dhe i ekipit të tij në Gjilan nënkupton ecje para, jo stagnim, ecje para në zhvillim, prosperim”, tha Haziri.

Kryetari i Degës së LDK-së  në Gjilan, tha se tashmë ka marr rrugë tjetër politike, por që është i gatshëm që të punojë me Hysenin për interesin e qytetit dhe të komunës.

“Unë edhe ashtu kam marr tash rrugë dhe udhë tjetër politike, që do të jem në funksion të angazhimit tim, por i sigurova dhe i premtova që roli ynë ka me qenë konstruktiv, mbështetja ka me qenë e sinqertë dhe angazhimi ynë politik ka me qenë në bazë të interesit të qytetit dhe komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.

“Kemi kryer procedurën e parë të betimit si Kuvend Komunal i Gjilanit dhe unë si kryetar i ri. Për mua është nder dhe kënaqësi që takohemi sot duke ditur se keni pasur disa mandate dhe megjithatë këto ndryshime që po ndodhin në demokraci janë gjithmonë të mira dhe freski, e njëjta ka me përcjell edhe në mandatet e ardhshme.U jam mirënjohës për përgatitjet e dokumentacionit dhe të tjerave”, tha Alban Hyseni.

Ai gjithashtu falënderoi Hazirin për pritjen e sotme.

Kryetari i ri i Gjilan tha se Haziri është figura me të cilën është identifikuar Gjilani dhe Anamorava.

“Z.Haziri është figura me të cilën është identifikuar Gjilani dhe Anamorava me të si lider i politikanëve, ndërkaq tash në Gjilan për shkak të nevojës dhe kohës është momenti që të sjellim një frymë të re, një lloj politike të re, lidershipi të ri në Gjilan.Faleminderit edhe për pritjen dhe u jam shumë mirënjohës”, shtoi ai./Lajmi.net/