Partitë shpërndahen në gjithë Kosovën për ditën e dytë të fushatës
Subjektet politike vazhdojnë sot aktivitetet në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, duke organizuar tubime elektorale në disa komuna të vendit. Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubim në Istog nga ora 17:00 dhe në Pejë nga ora 19:30. Në hapjen zyrtare të fushatës, kryetari i partisë…
Lajme
Subjektet politike vazhdojnë sot aktivitetet në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, duke organizuar tubime elektorale në disa komuna të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubim në Istog nga ora 17:00 dhe në Pejë nga ora 19:30. Në hapjen zyrtare të fushatës, kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi prioritetet programore, duke premtuar investime miliardëshe në Brezovicë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, rritje të shpenzimeve kapitale në vlerë prej një miliard eurosh, si dhe investime në prodhimtari dhe mbrojtje, përfshirë krijimin e fabrikës së dronëve dhe municioneve.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë tubime në Kaçanik dhe Han të Elezit (ora 17:00), në Shtime (18:00), në Fushë Kosovë (19:30) dhe në Prishtinë (20:30). Në tubimin hapës në sallën “1 Tetori”, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij është e bashkuar dhe e gatshme për sfidat politike që e presin vendin. Ai kritikoi qeverisjen aktuale, duke ironizuar edhe ndarjen e 100 eurove për qytetarët nga kryeministri në detyrë.
Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë (ora 18:00) dhe në Pejë (19:30). Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin hapës të fushatës prezantoi programin e tij politik, duke premtuar ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi. Ai kritikoi qeverinë aktuale për stagnim ekonomik, social dhe politik. Tubimit hapës iu bashkua edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec në orën 20:00. Fushata e kësaj partie u hap në Gjakovë, ku Ramush Haradinaj vlerësoi kandidatin për kryeministër Ardian Gjinin si një ndër kandidatët më të përgatitur për të udhëhequr vendin. Sipas tij, Kosova ka nevojë për angazhim të përbashkët për të tejkaluar sfidat aktuale.
Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë e shtatë orë dhe do të përfundojë më 7 qershor në orën 06:59. Buxheti i miratuar për organizimin e zgjedhjeve është 10.88 milionë euro.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen pas krizës institucionale të shkaktuar nga dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, çka çoi vendin në një proces të ri zgjedhor.
Ndërkohë, organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se rreth 550 vëzhgues do të jenë të angazhuar në monitorimin e procesit zgjedhor në gjithë territorin e Kosovës.