Partitë opozitare pa “vija të kuqe” në mes vete për zgjedhjet e ardhshme

Partitë opozitare në Kosovë tash e disa muaj temë kryesore të diskutimit e kanë idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Pavarësisht dëshirës së madhe për zgjedhje, partitë opozitare të vendit nuk po arrijnë në një marrëveshje të përbashkët apo thënë qartë nuk po bëhen dot “opozitë e bashkuar”. Derisa PDK është fokusuar në mbajtjen e zgjedhjeve…

Lajme

24/06/2024 14:51

Partitë opozitare në Kosovë tash e disa muaj temë kryesore të diskutimit e kanë idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

Pavarësisht dëshirës së madhe për zgjedhje, partitë opozitare të vendit nuk po arrijnë në një marrëveshje të përbashkët apo thënë qartë nuk po bëhen dot “opozitë e bashkuar”.

Derisa PDK është fokusuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, LDK dhe AAK po kërkojnë shkarkim të kreut të Qeverisë së Kosovës anipse ky i fundit po shprehet i gatshëm për të hyrë në garë menjëherë.

Ditë më parë, kryeministri Kurti në një takim me aktivistët e tij ka thënë se zgjedhjet parlamentare në vendin tonë do të mbahen në vitin 2025 ashtu edhe siç parashihen bazuar në mandatin 4 vjeçar të Qeverisë.

“Në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveç se do ta kremtojnë 20 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje, por patjetër patjetër më 2025 do t’i kemi edhe zgjedhjet parlamentare sepse opozita nuk do të mund t’i shtyjë pafundësisht. “Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli fjala vjen Ballkani i Suharekës. Për qeverisje qendrore e komunale, nga zgjedhjet parlamentare e lokale le ta fitojë Vetëvendosja vitin 2025 edhe kampionatin edhe Kupën”, ka thënë Kurti duke i akuzuar partitë opozitare se po i shtyjnë zgjedhjet.

Duke e kundërshtuar një deklarim të tillë të Kurtit, partitë opozitare poashtu kanë mohuar se po i shtyjnë zgjedhjet.  Madje nga këto parti politike janë shprehur të gatshme për koalicion me këdo nga kundërshtarët politik kosovar në vend, duke thënë se nuk kanë vija të kuqe me asnjërën prej partive.

Xhavit Haliti, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk kanë biseduar ende për koalicion me asnjë parti, por se kjo nuk është e pamundur.

“PDK asnjëherë që nga themelimi nuk ka vendosur vija te kuqe me askënd për të bashkëqeverisur dhe për të ndërtuar bashkë vendin. Në politik nuk ka armiq të përhershëm dhe nuk ka miq të përhershëm, nëse interesat e partive politike puqen atëherë mund të ketë koalicion me këdo”, ka thënë Haliti në një deklaratë për lajmi.net.

Kurse Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se gjasat për koalicion janë pas zgjedhjeve, por që po ashtu nuk kanë vija të kuqe me askënd.

“Parimisht ne nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti. Praktikisht pas zgjedhjeve, nëse nuk na përshtaten programet dhe prioritetet e Qeverisjes së vendit, edhe mund të kemi dallime dhe mos përshtatje në koalicione apo qeverisje të vendit”, ka thënë Pal Lekaj për lajmi.net.

Në lidhje me bashkimin e opozitës për të rrëzuar Qeverinë, Lekaj është shprehur i shqetësuar pasi që nuk e ka parë një opozitë të fortë në këtë aspekt.

“Opozita ka qenë bashkëpunuese mes vete në vazhdimësi, por jo në nivelin e duhur për vendime e tema të mëdha. Forma e rrëzimit të Qeverisë Kurti nuk na gjeti shumë të bashkuar, qysh nga atëherë kur ne e paraqitëm opsionin për bashkim të opozitës dhe deputetëve të pushtetit që janë të pakënaqur, e deri së fundi kur u diskutua për një bashkërendim të spektrit politik që me votë të lirë deputetët të votonin për shpërbërjen e Kuvendit”, ka thënë Lekaj.

Në lidhje me këtë, njëjtë ka menduar edhe deputeti i PDK-së Xhavit Haliti i cili nuk e ka parë opozitën të mendoj njëjtë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Opozita nuk ka mendime të njëjta”, është shprehur ai.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, ende nuk ka një datë të përcaktuar përpos propozimeve partiake nga opozita që Qeveria të bie dhe qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, ose që Qeveria të vetëlargohet dhe vendi sërish të shkojë drejtë zgjedhjeve.

Në lidhje me këtë nga partia në pushtet kanë thënë se janë të gatshëm edhe për zgjedhje të parakohshme, madje të bindur për fitore edhe pse kutive të votimit nuk i dihet dhe se surprizat e zgjedhjeve shpesh herë janë të çuditshme./Lajmi.net/