Partitë në pritje të ftesës së presidentes për takim konsultativ
Partitë parlamentare po presin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të përfshihet për zgjidhjen e krizës politike në vend. Subjektet janë shprehur të hapura për të marrë pjesë në ndonjë takim të ftuar nga e para e vendit për daljen nga ngërçi në Kuvend dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.…

Lajme
Partitë parlamentare po presin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të përfshihet për zgjidhjen e krizës politike në vend. Subjektet janë shprehur të hapura për të marrë pjesë në ndonjë takim të ftuar nga e para e vendit për daljen nga ngërçi në Kuvend dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidencës, lidhur me mundësitë që e para e vendit të thërras takim konsultativ me partitë politike, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kuvendi i Kosovës – që nga 15 prilli kur është thirrur seanca konstituive – ka dështuar dymbëdhjetë herë radhazi të konstituojë legjislaturën e nëntë.
Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryeparlamentarit, pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat për Albulena Haxhiun e cila është propozuar për kryetare të Kuvendit.
Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, thotë se kriza aktuale kërkon zgjidhje politike që, sipas saj, mund të vijë përmes një marrëveshjeje në mes të akterëve politikë.
Mirëpo, sipas saj, duke marrë parasysh se presidentja Osmani ka treguar gatishmërinë që të lehtësojë formimin e institucioneve të reja, atëherë janë të hapur për të marrë pjesë në një takim të tillë.
Statovci e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje, akuzon partitë të tjera parlamentare, që sipas saj janë “humbësit e zgjedhjeve për qasje dekonstruktive në konstituimin e Kuvendit”.
“Aktualisht, kjo çështje kërkon një zgjidhje politike që mund të vijë përmes marrëveshjes ndërmjet akterëve politikë. Presidentja Osmani ka bërë të ditur që në fillim, se është e gatshme të asistoj çdo herë për të ndihmuar që rendi kushtetues, stabiliteti politik dhe zgjidhja e problemeve që po shkaktohen të tejkalohen. Unë kam punuar me Presidenten Osmani, dhe e di që ajo çdo herë është e gatshme t’i shërbej interesave të Republikës”, thotë Statovci në një përgjigje.
Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se janë të gatshëm për të marrë pjesë në takim me presidenten Osmani, mirëpo shtojnë se involvimi i të parës së vendit do të ishte i panevojshëm nëse partitë do të arrinin një marrëveshje politike.
Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, thotë se dalja nga kriza politike në Kosovë është propozimi i tyre për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse tranzitore.
“Leximi i këtij rezultati thotë se duhet bërë kompromise. U pa që numrat nuk janë dhe kjo u dëshmua shumë herë më tepër sesa duhet. Po shihet se rruga e njëjtë po prodhon rezultat të njëjtë. Tani është e nevojshme që të bëhen hapa të tjerë që të zhbllokohen institucionet. Këta hapa të tjerë, normalisht, ne si parti me përvojë të madhe politike, mendojmë se propozimi ynë [qeveri gjithëpërfshirëse tranzitore] është zgjidhja më e mirë pasi s’ka kohë për të humbur. Shkuarja në Kuvend është e pakëndshme edhe për ne dhe e papërgjegjshme që të mos ofrohet ndonjë zgjidhje tjetër. Tani edhe presidentja nuk do të ishte e nevojshme të involvohej, nëse në mënyrë racionale vlerësohet situata nga partitë politike dhe ofrohet një zgjidhje që do të zhbllokonte këtë situatë”,thekson ai.
Mirëpo, deputetja nga radhët e koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, Jeta Statovci, thotë se propozimi për qeveri gjithëpërfshirëse tranzicionale është i dëmshëm.
“Ne vepruam politikisht duke ofruar zgjidhje për tejkalimin e situatës – dhe e bëmë këtë duke propozuar koalicion me LDK-në, pavarësisht mospajtimeve. Por kjo e fundit zgjodhi që kriza të vazhdojë. Në vend të një qeverie stabile e afatgjatë, siç kërkonte në fillim, ajo propozoi një qeveri tranzitore. Ne nuk mund t’i shkëmbejmë rolet që na ka dhënë qytetari, e t’i trajtojmë humbësit e zgjedhjeve si fitues. Ata që kanë humbur zgjedhjet, siç kuptohet nga deklaratat e tyre të shpeshta, po duan të bëjnë ose një Qeveri tranzicioni që ka për qëllim të amortiozojë plotësisht fitoren tonë, ose një Qeveri pa fituesin me 48 deputetë. Këtu qëndron konstatimi im se ka një keq lexim të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e tyre, dhe si pasojë, ka edhe krizë politike”, shton ajo.
Në anën tjetër edhe PDK-ja, pas mbledhjes së djeshme të kryesisë, i bëri thirrje presidentes Osmani që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet parlamentare për gjetjen e një rrugë për të dalë nga kriza institucionale.
“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje për nevojën e një takimi të tillë nga ana e presidentes Osmani.
Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po siguron 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.
Kundër propozimit të tyre për këtë post po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.
Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.
PDK dhe AAK po kërkojnë ndryshimin e kandidatit nga LVV-ja për të gjetur një zgjidhje, kurse LDK është kundër votimit të çfarëdo kandidati nga LVV-ja.