Partia e Limajt e bën të paparashikueshme skenën politike

Partia e Limajt i bën të paparashikueshme rezultatet e ardhshme zgjedhore. Ajo mund të jetë përcaktuese e koalicionit të ri qeverisës. Kështu mendon analisti Shkëlzen Maliqi. Sipas tij, gara për vend të parë do të jetë e ngushtë midis PDK’së e LDK’së.

Lajme

07/02/2014 07:54

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se, pas largimit të Fatmir Limajt nga PDK’ja, gara në mes të kësaj partie he LDK’së do të jetë e paparashikueshme në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen sivjet.

Maliqi ka thënë se partia e Limajt ndoshta do të jetë edhe përcaktuese e koalicionit të ri qeverisës.

“Është gati e sigurt gara e ngushtë për vendin e parë mes PDK’së dhe LDK’së, si për vendin e tretë, që do të mund ta luanin rolin kyç në bërjen e koalicionit të ri qeveritar”, ka thënë Maliqi në një intervistë për “Epoka e Re”.

“ Tani që Fatmir Limaj shpalli nismën për krijimin e partisë së re, gara në mes të PDK’së dhe LDK’së do të bëhet më e paparashikueshme edhe në aspektin e rolit dhe forcës që do ta ketë subjekti më I ri politik, i cili nuk përjashton as bashkëpunimin me PDK’në, kështu që do të kemi një faktor të ri dinamizues, ndoshta edhe përcaktues të formulës qeveritare”, ka thënë Maliqi për “Epoka e re”.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Maliqit, në zgjedhjet nacionale do të “luftojnë” për vendin e tretë.

“Është gati e sigurt gara e ngushtë për vendin e parë mes PDK’së dhe LDK’së, si dhe po aq e ngushtë mes AAK’së dhe Vetëvendosjes për vendin e tretë, që do të mund ta luanin rolin kyç në bërjen e koalicionit të ri qeveritar”, ka thënë ai.

Maliqi ka vlerësuar se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca afirmimit të një brezi të ri të politikanëve.

“Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca e afirmimit të një brezi të ri të politikanëve, por edhe të subjekteve politike që duhet ta dërrmojnë ose edhe të zëvendësojnë elitën aktuale, sidomos atë të komprometuar me afera korruptive dhe qeverisje abuzive në instancat e ndryshme të sistemit”.

Sa i përket kohës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, analisti Maliqi e sheh si të mundur mbajtjen e tyre pranverë, në rast krizash e rëniesh të qeverisë aktuale.

Duke folur për çështjen e vazhdimit të vendeve të rezervuara për minoritetet, ai ka thënë se është kundër vazhdimi të këtyre vendeve.

“Mendoj se serbët e veriut por edhe sponsorët e tyre nga Beogradi, nuk kanë aspak të drejtë. Nëse janë vonuar 6 vjet ta pranojnë planin e Ahtisarit, pasojat e vonesës nuk mund t’u barten institucioneve dhe rendit Kushtetues të Kosovës”, ka thënë Shkëlzen Maliqi për “Epoka e re”.