​Partia e Gjelbër Evropiane do të kërkojë ndryshim të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë pas fyerjeve të Vuçiq e Brnabiq

Një delegacion i lartë i Partisë së Gjelbër Evropiane (EGP), i cili ishte në Serbi me ftesë të Frontit të Majtë të Gjelbër, u largua sot nga Beogradi pas fyerjeve dhe kërcënimeve të hapura nga regjimi i Vuçiq. Eurodeputetët Rasmus Nordqvist dhe Vula Tsetsi paralajmëruan se do t’i kërkojnë KE-së që të ndryshojë qëndrimin e…

Lajme

06/09/2025 17:19

Një delegacion i lartë i Partisë së Gjelbër Evropiane (EGP), i cili ishte në Serbi me ftesë të Frontit të Majtë të Gjelbër, u largua sot nga Beogradi pas fyerjeve dhe kërcënimeve të hapura nga regjimi i Vuçiq.

Eurodeputetët Rasmus Nordqvist dhe Vula Tsetsi paralajmëruan se do t’i kërkojnë KE-së që të ndryshojë qëndrimin e BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi, raporton KosovaPress.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dje fyeu anëtarët e Parlamentit Evropian që erdhën në protestën në Novi Sad dhe mbështetën studentët. Në një konferencë për shtyp, ai i quajti eurodeputetët “fundërrina”. Edhe kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Ana Brnabiq, bëri të njëjtën gjë në rrjetet sociale.

Në reagimin e tij ndaj këtyre fyerjeve, Fronti i Majtë i Gjelbër shprehu mirënjohje ndaj Partisë së Gjelbër Evropiane, bashkëpresidentes Vula Tsetsi dhe eurodeputetit Rasmus Nordqvist, duke thënë se “ata ndanë fatin e të gjithëve ne që kemi qenë nën sulm nga regjimi për muaj të tërë.”

“Partia e Gjelbër Evropiane tregoi solidaritet me qytetarët e Serbisë dhe dërgoi një mesazh të qartë se Evropa nuk duhet të heshtë ndërsa në Serbi po kryhet represion kundër qytetarëve dhe shoqëria demokratike po shkatërrohet”, tha Fronti i Majtë i Gjelbër.

Vula Tsetsi, bashkëpresidente e Partisë së Gjelbër Evropiane, tha se presidenti i Serbisë sulmoi të Gjelbrit Evropianë në një mënyrë shumë agresive, me gënjeshtra dhe fyerje.

“Deklaratat e tij janë të papranueshme dhe kërkojnë një përgjigje të prerë. Ai fyeu një parti politike evropiane, na kërcënoi dhe na frikësoi në nivel personal, dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme – ai gënjeu hapur”, tha Tetsi, raporton KosovaPress.

Partia e Gjelbër Evropiane njoftoi se do t’i drejtohet Komisionit Evropian, duke kërkuar një ndryshim në qëndrimin e BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi. Gjithashtu, Parlamenti Evropian do të mbajë një debat plenar mbi Serbinë javën e ardhshme, në të cilin janë ftuar përfaqësues të Frontit të Gjelbër-të Majtë dhe partive të tjera opozitare nga Serbia.

Rasmus Nordqvist është një politikan danez dhe anëtar i Parlamentit Evropian për të Majtën e Gjelbër. Vula Tsetsi është një politikane greke dhe bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër Evropiane, e zgjedhur në këtë pozicion në dhjetor 2024.