Parregullsitë në votime, PZAP-ja pranon ankesa

Disa parregullsi gjatë së dielës, siç ishte mungesa e njohurive të votuesve për ndryshimet në qendrat e votimit, bënë që disa ankesa të drejtohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Procesi zgjedhor për kryetar të komunave dhe për kuvende komunale, që u mbajt të dielën, u vlerësua si i qetë dhe demokratik. Megjithatë, disa…

Lajme

17/10/2025 20:50

Disa parregullsi gjatë së dielës, siç ishte mungesa e njohurive të votuesve për ndryshimet në qendrat e votimit, bënë që disa ankesa të drejtohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Procesi zgjedhor për kryetar të komunave dhe për kuvende komunale, që u mbajt të dielën, u vlerësua si i qetë dhe demokratik. Megjithatë, disa parregullsi, siç ishte mungesa e njohurive të votuesve për ndryshimet në qendrat e votimit, bënë që disa ankesa të drejtohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Lidhur me këtë, PZAP, në një përgjigje me shkrim për RTK-në, tha se deri më tani kanë pranuar tri ankesa.

“Lidhur me pyetjen tuaj se a ka pasur ankesa për çështjen e adresave të ndërruara në disa komuna, ju njoftojmë se lidhur me këtë, kemi pranuar 3 ankesa për të cilat PZAP ka marrë vendim me numër ZL.Anr.199, ZL.Anr.200 dhe ZL.Anr.201 të cilat janë të publikuara në ueb-faqen e PZAP-it”.

Në të tria këto vendime të marra nga ky organ, në tri raste të ndara ankesat janë refuzuar si të pabazuara.

Në njërin nga rastet, siç thuhet në vendim, një qytetare me vendbanim në fshatin Balaj të Ferizajt është ankuar në PZAP duke pretenduar se i është ndërruar vendvotimi në një tjetër komunë pa njoftim paraprak nga KQZ-ja dhe për këtë arsye nuk ka mundur të votojë.

Megjithatë, PZAP e ka refuzuar këtë ankesë me arsyetimin se PZAP ka gjetur faktin se për

ankuesen ka parashtruar kërkesë për ndërrim të vendvotimit një familjare e saj, kërkesë e cila është aprovuar nga gjendja civile.

PZAP përmend në arsyetim se sipas KQZ-së ndërrimi i Qendrës së Votimit bazohet në përditësimet e sakta të Regjistrit Qendror Civil, andaj parashtrueses së ankesës i është ndërruar qendra e votimit, si rezultat i të dhënave të përditësuara të Regjistrit Civil.

Njohës të vetëqeverisjes lokale thonë se në aspektin ligjor dhe demokratik ky është një hap i domosdoshëm për të ruajtur legjitimitetin e procesit.

“Këto ankesa do të ndikojnë drejtpërdrejtë në zgjatjen e fazës paszgjedhore sepse deri në shqyrtimin dhe vendimin përfundimtar të tyre rezultatet nuk mund të certifikohen nga KQZ. Në aspektin e besueshmërisë kjo mund të shkaktoj dyshime apo tensione politike por është pjesë e procesit ligjor të garantimit të transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve”, tha Valmir Ilazi, njohës i vetëqeverisjes lokale.

Më 12 tetor, qytetarët Kosovës votuan në 38 komuna për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja komunale.