Parlamenti Evropian u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së të njohin Kosovën

Parlamenti Evropian ka publikuar së fundi dy raporte mbi reformat e ndërmarra nga Kosova dhe Serbia, duke vlerësuar punën e bërë deri më tani në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Lajme

25/02/2021 09:25

Raportet janë përqendruar kryesisht në demokraci dhe sundimin e ligjit, lirinë e medias, lirinë e shprehjes si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pavarësisht kësaj, normalizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë zuri një pjesë të rëndësishme të raporteve të publikuara.

Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ka miratuar të dy raportet dhe u ka bërë thirrje edhe një herë pesë shteteve të  Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur akoma Kosovën ta bëjnë këtë, transmeton lajmi.net.

Deputetët gjithashtu kanë përsëritur thirrjen e tyre për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Përpos kësaj, vendet e Bashkimit Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që sa më shpejtë të rifillojnë dialogun, pasi që sipas tyre bota nuk pret pafundësisht.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit gjithashtu është kërkuar që Kosova të arrijë në konstituimin e institucioneve udhëheqëse në një afat sa më të shpejtë, pas certifikimit të rezultateve finale./Lajmi.net/