Parlamenti Evropian  miratoi Rezolutën  për Kosovën

Rezoluta përshkruan realitetin kosovar në mes të ndryshimeve historike në rrugën e integrimit evropian duke përfshirë këtu nënshkrimin e MSA-së si dhe ecjen drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave në një anë, dhe përballjes me sfidimin e brendshëm të funksionimit të institucioneve demokratike, raporton lajmi.net

Lajme

04/02/2016 12:44

 

Parlamenti Evropian  miratoi Rezolutën e radhës për Kosovën në Strasburg. Rezoluta përmban kërkesa të qarta për përforcimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës.Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, deklaroi se mirëpret  sidomos vlerësimin pozitiv të Parlamentit Evropian për progresin në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.

“Unë shpreh mirënjohjen time të lartë për Parlamentin Evropian i cili e ka shprehur qartë edhe një herë gatishmërinë e vet për të dhënë pëlqimin e vet ndaj propozimit eventual nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ka ftuar Komisionin Evropian që të bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë”, shkroi Çollaku nw Facebook, raporton lajmi.net.

“Për më tepër, e çmoj shumë rëndësinë që ky institucion i jep nevojës për intensifikimin e kontakteve ndër-njerëzore ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të shteteve të BE-në”.

Ministri deklaroi se Parlamenti Evropian i ka dhënë vëmendje meritore nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-së) si një hap i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës dhe mekanizëm i fuqishëm në zbatimin reformave.

“Gjithashtu, edhe kësaj radhe përmes kësaj Rezolute është dhënë porosi e qartë për njohjen Republikës së Kosovës nga ana e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe do të ngritë kredibilitetin e BE-së”, shkroi ministri, raporton lajmi.net.

“Rezoluta përshkruan realitetin tonë të tanishëm, në mes të ndryshimeve historike në rrugën e integrimit evropian duke përfshirë këtu nënshkrimin e MSA-së si dhe ecjen drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave në një anë, dhe përballjes me sfidimin e brendshëm të funksionimit të institucioneve demokratike nga ana tjetër”, shkroi Çollaku, duke falendwruar të gjithë eurodeputetetët që po vazhdojnë të mbështesin alternativat integruese edhe përmes sugjerimeve të tyre të mirëseardhura për tejkalimin e sfidave dhe për rikthimin e fokusit në agjendën reformuese evropiane që do ta shpie vendin tonë drejtë zhvillimit dhe integrimit evropian./lajmi.net