Parku Industrial në Frashër drejt përfundimit, Kusari-Lila: Interesim i madh nga bizneset për investime

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se tre muaj pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekti po avancon me ritëm të mirë dhe po i afrohet përfundimit të infrastrukturës bazike. Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila tha se së…

Lajme

27/07/2026 18:45

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se tre muaj pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekti po avancon me ritëm të mirë dhe po i afrohet përfundimit të infrastrukturës bazike.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila tha se së bashku me zëvendësministrat Fatban Bunjaku dhe Jeton Mehmeti, si dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, vizituan vendpunishten për të parë nga afër ecurinë e punimeve.

“Kanë kaluar tre muaj nga fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës. Për të parë nga afër ecurinë e tyre, sot, së bashku me zëvendësministrat e MINTI-t, Fatban Bunjaku dhe Jeton Mehmeti, si dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, pas takimit në Komunën e Mitrovicës, vizituam vendpunishten ku po ndërtohet parku industrial. Punimet po zhvillohen me ritëm të mirë dhe po i afrohen përfundimit të infrastrukturës bazike”, shkroi ajo.

Sipas saj, tashmë ka interesim të konsiderueshëm nga bizneset për të investuar në këtë park industrial.

“Gjatë vizitës, u njoftuam se interesimi i bizneseve për të investuar në këtë park tashmë është i madh. Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të ofruar infrastrukturë moderne dhe për të krijuar kushtet e nevojshme që investitorët, vendorë dhe të huaj, të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kosovë”, theksoi Kusari-Lila.

Ajo bëri të ditur se Eko Parku Industrial do të ndërtohet sipas standardeve për mbrojtjen e mjedisit dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 48 hektarësh.

“Eko Parku Industrial do të ndërtohet në përputhje të plotë me standardet për mbrojtjen e mjedisit. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 48 hektarësh dhe, falë kontratës së re në vlerë prej afro 1 milion eurosh, po realizohen investimet e nevojshme në infrastrukturën bazike”, u shpreh ajo.

Kusari-Lila njoftoi gjithashtu se Ministria po planifikon ndërtimin e një parku industrial edhe në komunat veriore të Kosovës.

“Krahas funksionalizimit të Parkut Industrial në Frashër, po planifikojmë ndërtimin e një parku industrial edhe në komunat veriore të Kosovës, duke zgjeruar mundësitë për investime, zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës dhe zhvillim të balancuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.