Parashqevi Simaku rrëfehet për jetën e saj: Flija në Starbucks kur ishte ftohtë, më jepnin kafe falas

Parashqevi Simaku, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, ka dhënë një intervistë të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu, e realizuar në New York, ku ajo ka jetuar vitet e fundit, shpesh në kushte të vështira. Këngëtarja që për dekada mbushi skenat shqiptare me zërin e saj, tronditi opinionin publik në dhjetor të…

ShowBiz

30/05/2025 11:05

Parashqevi Simaku, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, ka dhënë një intervistë të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu, e realizuar në New York, ku ajo ka jetuar vitet e fundit, shpesh në kushte të vështira.

Këngëtarja që për dekada mbushi skenat shqiptare me zërin e saj, tronditi opinionin publik në dhjetor të vitit 2024, kur u shfaq në një kronikë të një televizioni amerikan si një prej personave të pastrehë që jetonin në rrugët e New York-ut.

Në bisedën me Fevziun, Simaku ndau për herë të parë arsyet që e shtynë të largohej nga Shqipëria dhe të zgjidhte një jetë ndryshe në Shtetet e Bashkuara.

“Shkova të jetoj jashtë sepse pas COVID-it më dukej si diçka e jashtëzakonshme që po ndodhte. Sikur nuk jetonte njeri, sikur nuk kishte më njerëz të gjallë… Dhe ngaqë kisha studiuar kaq shumë anglisht, më dukej normale të provoja një fillim të ri,” – rrëfeu ajo me sinqeritet.

E pyetur për përfshirjen e saj me mësimet fetare ndër vite, Simaku tregoi se kjo ishte një dëshirë që kishte lindur që në fëmijëri.

“Nëna dhe babai im çoheshin në mëngjes dhe shkonin në gjumë duke iu lutur Zotit. Në Kavajë ne vetëm Allahun e njohim si Zot. Më vonë, mu dha mundësia të qëndroja në Brooklyn, në një shtëpi shumë të mirë, ku studioja vetëm. Isha e përkushtuar ndaj besimit dhe studimit,” – tha ajo.

Por periudha më e vështirë erdhi kur ajo përfundoi në rrugët e qytetit, duke jetuar si e pastrehë.

“Jetoja në Times Square. Për ushqim kishte shumë organizata që kujdeseshin për ne. Të jetosh si e pastrehë është një zgjedhje. Çdo ditë dhe çdo natë kishte organizata që na jepnin batanije dhe përpiqeshin të na çonin në strehimore, por shumica nuk donin të shkonin. Si shtëpi të përhershme mund të them Starbucks – aty më njihnin të gjithë. Shkoja, flija në mëngjes dhe qëndroja ngrohtë kur ishte ftohtë. Pija nga 3-4 kafe në ditë, të gjitha falas. Atyre iu dukej e çuditshme që unë isha gjithmonë shumë e sjellshme,” – tregoi këngëtarja.

YouTube player