“Paranojë politike e mendësi autokrate” -Abdullahu e Berisha komentojnë deklaratat sulmuese të Kurtit ndaj PDK-së, Thaçit dhe Veselit
Kryeministri në detyrë njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vijuar deklarimet me gjuhë përçarëse ndaj oponentëve politikë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur përgjegjësinë pas dështimit për të siguruar shumicën parlamentare. Në vend të reflektimit për situatën politike dhe mungesën e kohezionit brenda Kuvendit, Kurti ka zgjedhur të godasë Partinë Demokratike të…

Lajme
Kryeministri në detyrë njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vijuar deklarimet me gjuhë përçarëse ndaj oponentëve politikë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur përgjegjësinë pas dështimit për të siguruar shumicën parlamentare.
Në vend të reflektimit për situatën politike dhe mungesën e kohezionit brenda Kuvendit, Kurti ka zgjedhur të godasë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e përshkruar atë si një “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara”.
“PDK nuk është reformuar. Aty ka katër ose pesë kryetarë – nuk e di saktësisht – por jam i sigurt që nuk ka një. Nuk është parti, por një strukturë e çoroditur pa përgjegjësi,” deklaroi Kurti në tëvë1, duke synuar të krijojë përshtypjen e një kaosi të brendshëm brenda PDK-së, në kohën kur ai vetë përballet me sfida serioze për ruajtjen e pushtetit.
Por nuk u ndal me kaq. Në një tjetër deklaratë që ka ngjallur reagime, Kurti sulmoi edhe dy figurat historike të PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin – të cilët ndodhen prej vitesh në paraburgim në Hagë – duke aluduar se ata vazhdojnë të japin instruksione politike nga qelia.
“Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh për instruksione politike,” tha Kurti, duke bërë akuza të paprovuara ndaj figurave që aktualisht nuk janë aktive në jetën politike për shkak të proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale.
Këto deklarata po interpretohen si një përpjekje për të shpërqendruar opinionin publik nga ngecjet në qeverisje dhe mungesa e një shumice funksionale, në një kohë kur vendi ndodhet në një situatë të paqartë politike.
Për këto deklarime të Kurtit, lajmi.net ka kontaktuar me eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Faton Abdullahu: Kurti e sheh politikën me syzet e autokracisë – sulmet ndaj Thaçit e Veselit janë të ulëta dhe jo njerëzore
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për dështimet në qeverisje dhe mungesën e shumicës parlamentare.
“Mendësia autokrate e Kurtit në partinë e tij ia mjegullon atij syzet e vrojtimit për të pasur vlerësim të drejtë për partitë tjera politike në Kosovë,” deklaroi Abdullahu për lajmi.net.
Ai shtoi se “për të, bashkëpunimi kolegial ndërpartiak, koordinimi i politikave me bashkëpunim mes njerëzve në Kryesi dhe jo vetëm, është i huaj.”
Duke komentuar deklaratën e Kurtit se “PDK-ja ka 4-5 kryetarë”, Abdullahu tha: “Këtu e ka burimin vlerësimi i tij – në logjikën e autokracisë së Vetëvendosjes. Vetëm nga një mendësi e tillë vjen një perceptim i tillë për një parti tjetër.”
Ai shtoi se ndryshe nga Vetëvendosja, ku “shumë kolegë e bashkëpunëtorë të ngushtë të Kurtit janë larguar”, në PDK “kjo nuk i ka ndodhur Memli Krasniqit, sepse ai nuk ishte as nuk është autokrat, por një kryetar dhe lider të cilin bashkëpunëtorët nuk po e bojkotojnë – përkundrazi.”
Duke reaguar ndaj sulmeve të Kurtit ndaj ish-krerëve të PDK-së që po mbahen në Hagë, Abdullahu u shpreh se “qasja e tij është jo njerëzore”. Sipas tij, “ata tash sa kohë janë në një gjendje ku ju duhet ndihma e shtetit për të cilin kanë bërë shumë dhe gjatë – jo akuza nga një pushtet që për pesë vite as nuk i ka ndihmuar e as nuk i ka përkrahur.”
Ai shtoi: “Nëse kihet parasysh p.sh. zelli i Ministres së Jashtme të Qeverisë në imponim, për të premtuar se do të depozitojë fakte (lexo: sajesa) në Hagë, apo konstatimi i një ministri tjetër – atij të Financave – kur flet për shpenzimet dhe veteranët e UÇK-së, se ‘mercenarë me pas angazhu, na kish dalë ma lirë’, atëherë nga kjo mendësi e VV-së nuk presim asgjë të mirë.”
“Nuk kemi pritur shumë nga kjo qeveri, por për fat të keq po del se nuk mund të themi as që nuk presim ndonjë të keqe,” përfundoi Abdullahu.
Kurse ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha tha se deklarimet e Kurtit drejtuar PDK-së dhe drejtuesve të saj janë paranojake.
Berisha i cilëson këto deklarime si “paranojë politike” dhe “një precedent të rrezikshëm” për mënyrën se si Kurti po përpiqet të legjitimojë pushtetin e tij.
“Në vend të maturisë shtetërore që kërkon momenti, kryeministri në detyrë zgjodhi t’i rikthehet një diskursi që jo vetëm përjashton nga bashkëpunimi partitë tjera parlamentare, por rrezikon të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në një proces gjyqësor që zhvillohet jashtë vendit – në Hagë,” tha Berisha për lajmi.net.
Sipas tij, deklaratat që lënë të kuptohet se Thaçi dhe Veseli japin udhëzime politike nga burgu janë të rënda dhe cenojnë jo vetëm dinjitetin e individëve, por edhe themelet e vetë shtetit të Kosovës.
“Kur një kryeministër i një vendi demokratik, në mënyrë publike, linçon se udhëheqësit historikë të vendit po japin ‘instruksione nga burgu’, kjo mund të interpretohet si legjitimim i tezave të aktakuzës dhe ndërhyrje e tërthortë në procesin gjyqësor në Hagë,” deklaroi ai.
Ai shtoi se nëse ndikimi politik i liderëve të UÇK-së në Hagë është real, “atëherë ai është po aq i kuptueshëm sa vetë historia moderne e Kosovës”.
“Fundja, më mirë të konsultohesh me ata që kanë bërë histori për historinë, sesa me rrjete të dyshimta që shfaqen sot si ‘këshilltarë të reformës dhe qeverisjes’ – por që në fakt përbëjnë strukturën reale të pushtetit rreth Albin Kurtit,” theksoi Berisha.
Ai paralajmëron se deklaratat për PDK-në dhe lidershipin historik nuk janë as të rastësishme e as pa pasoja:
“Zgjedhja për të goditur jo vetëm opozitën, por edhe kujtesën historike të vendit përbën një precedent të rrezikshëm. Nuk bëhet politikë me njerëz që janë në burg prej pesë vitesh, të cilët luftuan për lirinë dhe shtetin që sot Kurti e përfaqëson pa pasur asnjë kontribut për të.”
Berisha e përshkroi qasjen e Kurtit si përjashtuese dhe të motivuar politikisht, duke theksuar se nuk është më një çështje e thjeshtë retorike, por një rrezik për sigurinë dhe sovranitetin e vendit./lajmi.net/