Parandalohet tjetërsimi i 21 pronave në Mitrovicë, arrestohen tre të dyshuar
Një tentim për tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave është parandaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës, ndërsa tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kishin tentuar të siguronin dokumentacion noterial përmes dokumenteve të falsifikuara. Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar…
Lajme
Një tentim për tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave është parandaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës, ndërsa tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kishin tentuar të siguronin dokumentacion noterial përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri, pas veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore.
Hetimet kanë ngritur dyshimin se të arrestuarit, duke përdorur një dokument identifikimi të falsifikuar dhe dokumentacion tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial që do t’u mundësonte disponimin mbi shitblerjen e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm.
Sipas autoriteteve, dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, por fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.
Plani është zbuluar para përfundimit të procedurës noteriale, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë konstatuar mospërputhje në të dhënat identifikuese, duke ngritur dyshime për autenticitetin e dokumenteve të paraqitura.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, një automjet dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Po ashtu, gjatë kontrollit në pronën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm.
Prokuroria ka bërë të ditur se prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë pjesë e hetimeve të mëtejshme.
Autoritetet kanë ritheksuar përkushtimin për luftimin e veprave penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, keqpërdorimin e procedurave administrative e noteriale dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga çdo formë e tjetërsimit të kundërligjshëm.
Komunikata e plotë:
Komunikatë e përbashkët nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës
Parandalohet tentimi për sigurimin e dokumentacionit noterial me qëllim të tjetërsimit të njëzetenjë pronave , arrestohen tre persona
Mitrovicë dt.16.07.2026 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësinë Rajonale në Mitrovicë Veri, njofton opinionin publik se, si rezultat i veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore, është parandaluar përfundimi i procedurave për sigurimin e dokumentacionit noterial, i cili dyshohet se kishte për qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të njëzetenjë (21) pronave të paluajtshme.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen me njëzetenjë prona të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim.
Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin përkatës.
Realizimi i veprimeve të dyshuara është parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi lidhur me autenticitetin e dokumenteve të paraqitura para noterit.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë arrestuar dhe intervistuar tre persona, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për dyzet e tetë (48) orë. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, automjet dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Gjatë kontrollit të realizuar në pronën e njërit prej personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm. Prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës ritheksojnë përkushtimin e tyre për hetimin e veprave penale kundër pasurisë, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të procedurave administrative e noteriale, si dhe për mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga çdo formë e tjetërsimit të kundërligjshëm./lajmi.net/