Paralajmëroi se ia ka siguruar Kosovës një njohje të re, Behgjet Pacolli jep detaje

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur për një njohje diplomatike që do t’i vijë Kosovës falë ndihmës së tij. Paralajmërimi i tij u bë në dhjetor të vitit të kaluar.

Lajme

19/01/2022 21:31

Për këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Pacollin, i cili ka thënë se një vizitë mes delegacionit të shtetit përkatës dhe kryeministrit e presidentes ka ndodhur, shkruan lajmi.net.

“Vizita ka ndodhur ne dhjetor, ashtu siq ishte planifikuar. Delegacioni ka pas takime ne nivel te KM dhe Presidences. Cdo gje tjeter eshte nen kompetencat e institucioneve”, thotë Pacolli për mediumin.

Lidhur me këtë ka njoftuar edhe këshilltari i tij, Naim Murseli, i cili edhe publikoi disa pamje nga aeroporti. Sipas tij, Pacolli është takuar me presidentin e “një shteti të madh afrikan”.

“Me avionin e tij zëvendësues udhëtuam sot së bashku me z. Pacolli nga Lugano për në Paris, në një vizitë të shkurtër, ku takuam Presidentin e një shteti të madh Afrikan. Ndryshe nga Aeroporti i vendit të tij (Atë të Prishtinës) në atë të Luganos apo edhe të Parisit, askush nuk i kontrolloi pasaportën e tij, bagazhin ose ndonjë test Covidi, por nga makina deri te dera e avionit”, ka njoftuar ai në ‘Facebook’-un e tij.

Më herët, Pacolli pati deklaruar se ia ka sjellë Kosovës një njohje, mirëpo kryeministri Albin Kurti po e injoron atë.

“Në WhatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për të kryer formalitetin e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj eventuale në këtë shtet. Gjithçka është e rregulluar, zotëri Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj. Unë, si gjithmonë, jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje”, pati shkruar Pacolli. /Lajmi.net/