Paralajmërohen ndryshime përbrenda kabinetit qeverisës të Ferizajt

Përplasjet e fundit në Kuvendin Komunal të Ferizajt si duket e kanë luhatur besueshmërinë e partnerëve të koalicionit qeverisës në Ferizaj.

Lajme

01/03/2015 12:42

Se sa do të reflektojë kjo në funksionimin e këtij koalicioni do të shihet në të ardhmen, por tashmë shkëndijat e para të thyerjeve po duken në horizont, sidomos në mes të partnerëve më të vegjël të koalicionit, AAK-ja dhe Nisma Qytetare për Ferizajn (NQF), shkruan KosovaPress.

Por, duke iu referuar gjendjes së krijuar pas seancës së Kuvendit, i pari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa thotë se përplasjet e fundit në mes të partnerëve në Kuvend nuk e kanë luhatur aspak besueshmërinë e koalicionit, por nuk e ka fshehur faktin se marrëveshjet për koalicione sjellin probleme.

“Kjo shprehet me mungesën e aftësisë për t’iu përmbajtur marrëveshjeve. Unë nuk dëshiroj të përmbys gjithçka në qoftë se ka ndonjë moment që mund të shprehë ndonjë pakënaqësi, por që nuk dëshiroj që ajo të jetë shkasi për acarim deri në pakthim, nuk ka ndonjë arsye esenciale. Ajo që ka ndodhur në kuvend duhet të shikohet si çështje e frytit të demokracisë në përgjithësi. Tejkalimet kanë qenë të panevojshme”, ka thënë Sfarqa.

Për më tepër në sfondin e këtyre zhvillimeve, kryetari Sfarqa, e ka vlerësuar me tone pozitive performancën e të gjithë drejtorëve, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikomponimit të qeverisë lokale, siç tha, për shkak të rritjes së efikasitetit të kryerjes së punëve dhe efikasitetit qeverisës në Komunën e Ferizajt.

“Nuk mendoj se do të ketë figura të reja, por që do të ketë lëvizje të brendshme për shkak edhe të përgatitjeve dhe të asaj që unë kam vërejtur që dikush ndoshta do të mund të jep një kontribut të madh në një drejtori tjetër. Ndërkaq nuk do të ketë inkorporime nga jashtë brenda kësaj përbërje, por nuk do të thotë që nuk do të ketë në të ardhmen për shkak se në përgjithësi edhe qeverisja do të jetë evolutive sikurse çdo gjë në botë”, ka nënvizuar Sfarqa.

Ndërkaq, dy partnerët tjerë të koalicionit, AAK-ja dhe NQF-ja kanë ndarë qëndrime të kundërta sa i përket këtyre zhvillimeve. Drejtuesit e këtyre dy subjekteve janë përplasur së fundi për shumë çështje që kanë nxjerrë në dritë edhe mosmarrëveshjet e tyre.

Kryetari i degës së AAK-së dhe njëherësh nënkryetar i komunës, Xhavit Zariqi ka thënë se nuk i takon NQF-së dhe kryetarit të saj të vlerësojë për pjesën e pushtetit që AAK-ja e ka në kuadër të qeverisë komunale.

“Ne nuk kemi marrëveshje me ta, nuk ju takon të përzihen, gjithsecili e din forcën reale të tij, e që e ka përcaktuar votuesi”, ka thënë Zariqi, i cili me këtë rast nuk e ka përjashtuar mundësinë e riformatizimit të qeverisë lokale.

“Kjo mund të ndodhë thujase në çdo moment, varësisht se si vlerësohet nga kryetari dhe nga partnerët e tjerë të koalicionit. Gjithmonë duhet kërkuar më të mirën, ndryshimet e mundshme do të jenë në funksion të përmirësimit”, ka thënë Zariqi.

Edhe kryetari i NQF-së, Bashkim Fazliu-Migjeni, thotë se nuk ka luhatje të koalicionit qeverisës, duke vënë në dukje se gjithmonë ka qenë një tendecë e AAK-së për ta eleminuar nga pjesa e pushtetit që u takon.

“Ne si NQF në asnjë mënyrë nuk ia japim atë kënaqësi dikujt që ka pretenduar që nga fillimi se ne jemi të tepërt në atë koalicion, pasi dihet se votat tona kanë qenë përcaktuese për fitoren e kryetarit Sfarqa” ka thënë Migjeni. Sipas tij, një situtë të tillë e ka provokuar AAK-ja, duke shpresuar që në këtë rast do të prishet koalicioni në mes LDK-së dhe NQF-së”.

“Nuk i takon AAK-së të përzihet në mes të marrëveshjes sonë me LDK-në, ne jemi partner, ne flasim për rikonfigurim dhe çdo gjë tjetër. Për riformatim të qeverisjes lokale sa i përket NQF-së nuk ka nevojë. Performanca e përfaqësuesit tonë në qeveri është e shkëlqyeshme, është për tu marrë shembull në nivel të Kosovës”, ka thënë Migjeni.

Ndryshe, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, rregullorja për ndarjen e dekoratave ka qenë mollë sherri e përplasjes së partnerëve të koalicionit.

Me këtë rast nuk u përkrah një propozimi i kryetarit të NQF-së që në rregullore të futet “Çmimi për Inovacion”, e jo “Çmimi Novatori”, siç e kishte paraparë propozuesi i saj.

Gjatë javës ky debat u zhvillua nga distanca me përplasje në mes të dy partnerëve më të vegjël të koalicionit, të cilët nxorën edhe pakënaqësi të tjera, raporton KosovaPress.