Paralajmërimet e Dacic

Ivica Dacic thotë se pjesëmarrja e serbëve në rivotim në Veri duhet të jetë më e madhe, në të kundërtën do të ketë Kryetar Shqiptar. Kështu, ai paralajmëron se mund të ketë edhe incidente të armatosura, e Beogradi e ka vështirë të ndihmojë.

Lajme

06/11/2013 17:12

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, pas takimit në Bruksel, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje të jetë sa më e lartë.

Ai ka tërhequr vërejtjen se në rast se serbët nuk dalin mjaftueshëm në zgjedhje, gjatë rivotimit në Veri, rrezikohet që kryetarët të jenë shqiptarë.

“Në rast se qëndron vendimi i KQZ’së për përsëritje të zgjedhjeve në vetëm 3 qendra të votimeve, dhe serbët e pjesës veriore të Mitrovicës nuk dalin në zgjedhje në një numër të mjaftueshëm, mund të kemi Kryetar Komune shqiptar. Kjo do të mund të nxiste konflikte, të cilat do të mund të ishin edhe të armatosura, dhe në këtë rast Serbia nuk do të mund të ndihmonte sa duhet”, ka thënë Dacic, raporton B92.

Dacic ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, kanë përshëndetur pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por kanë dënuar incidentet në tre qendra të votimeve në Veri të Mitrovicës.