Paradoks kosovar, polici i patrullës e rrahë atë të njësisë speciale

Në rajonin e Ferizajt, ka ndodhur një rast paksa i veçantë. Një polic i patrullës, e kishte bërë për emergjencë një polic të njësisë speciale të policisë së Kosovës. 

Lajme

18/05/2014 23:08

Ashtu siç raporton emisioni Drejtësia në Kosovë në RTK, polici i njësisë speciale të rajonit të Ferizajt, ishte grushtuar nga një koleg i tij, i cili punonte në njësinë e patrullës. 

Kjo ngjarje ka ndodhur në mesnatën e 11 majit të këtij viti. Siq thuhet në raportet e para të hetimeve, njësia speciale e kishte ndaluar një veturë e cila kishte kryer kundërvajtje. 

Mirëpo pasi që kjo njësi nuk kishte me vete tiketa të trafikut, e kishte ftuar në vendngjarje njësinë patrulluese të policisë, për ta shqiptuar tiketën. 

Gjatë shqiptimit të tiketës thuhet se policët kishin pasur mosmarrëveshje mes vete, duke eskaluar në përleshje fizike mes pjestarit të njësisë speciale dhe atij të patrullës. 

Rasti tash është duke u zbardhur nga Inspektorati Policor i Kosovës. 

Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka bërë të ditur emisionin Drejtësia në Kosovë, detaje të këtij rasti, i cili tani është duke u trajtuar tek ta. 

“Në Inspektorat, ne kemi pranuar një rast nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt. Në këtë rast bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy zyrtarëve policor. Njëri nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe tjetrit nga zyrtarë i patrullës. Ngjarja ka ndodhur më 11 maj, 30 minuta pas mesnate, kur një njësi e reagimit të shpejtë ka bërë një ndalje në trafik të një kundërvajtësi, por në këtë rast nuk kanë poseduar bllokun e tiketave dhe të njëjtit kanë kërkuar një bllok tikete nga njësia patrulluese”. 

“Por gjatë shqiptimit të tiketës, ka ardhur deri te mosmarrëveshja, ku ka pësuar lëndime trupore një zyrtar policor, i cili është dërguar në qendrën emergjente në Ferizaj”. 

“Zyrtari i njësisë speciale është ai i cili ka pësuar lëndime, dhe në inspektorat është duke u trajtuar në cilësinë e viktimës. Rastin e ka marrë prokuroria, ku janë ndërmarrë disa veprime hetimore, por ai ende nuk ka përfunduar. Zyrtari policor i cili është identifikuar si iniciues i kësaj marrëveshje dhe i shkaktimit të lëndimit trupor, fillimisht është suspenduar për 48 orë. Mirëpo, më pas nuk i është vazhduar ky suspendim, pasi hetuesit nuk e kanë parë të nevojshme këtë, pasi nuk ka pasur ndonjë pengesë në procedurën hetimore”. 

“Deri te konflikti dyshohet se ka ardhur, pasi në momentin e shkrimit të tiketës, njëri nga zyrtarët policor ka hezituar të nënshkruaj si dëshmitar, për shkak se e ka njohur kundërvajtësin në këtë rast”, ka thënë Beka. 

Ndërsa, duhet cekur se një rast i ngjashëm i konfliktit mes zyrtarëve policor në rajonin e Ferizajt, ka ndodhur edhe vitin e kaluar, ku një patrullë e policisë së Shtimes, dhe njësia e trafikut kishin pasur mosmarrëveshje. Në këtë rast ishin drejtuar edhe armët. Mosmarrëveshja kishte ndodhur në prani të shumë qytetarëve.