Para verdiktit në Hagë, Komisioni Europian u bën thirrje shteteve: Respektoni vendimin e Speciales

Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Komisioni Europian ka bërë thirrje që të gjitha shtetet dhe aktorët ta respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës(DHSK). Në një përgjigje për KALLXO.com, Komisioni Europian ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian…

Lajme

14/09/2026 16:04

Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Komisioni Europian ka bërë thirrje që të gjitha shtetet dhe aktorët ta respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës(DHSK).

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komisioni Europian ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat i ka cilësuar si institucion të pavarur gjyqësor.

“Ne kujtojmë mbështetjen e kahershme të BE-së për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), si një institucion i pavarur gjyqësor i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015”- thuhet në përgjigjen e KE-së.

Sipas Komisionit Europian, Kuvendi i Kosovës, përmes një amendamenti kushtetues, kishte autorizuar zhvendosjen e procedurave gjyqësore në Hagë, me qëllim të sigurimit të proceseve të pavarura, të paanshme dhe të drejta lidhur me akuzat për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

“Përpara aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe të gjithë aktorëve që t’i respektojnë procedurat gjyqësore të DHSK-së dhe vendimin”- ka thënë KE.

Komisioni Europian ka rikujtuar gjithashtu se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është vendim përfundimtar, pasi mund të apelohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria.

“Sikurse në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, aktgjykimet e shkallës së parë mund të apelohen si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”- thuhet në përgjigje.

Komisioni Europian ka vlerësuar se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për vendosjen e llogaridhënies për krimet e pretenduara dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre.

“Ne konsiderojmë se puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e KE-së.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan pas ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të miratuara nga institucionet e Kosovës në vitet 2014 – 2015. Procedurat zhvillohen në Hagë, ndërsa institucioni është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Përpara shpalljes së aktgjykimit, në Prishtinë u mbajtë edhe një marsh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur që aktgjykimi në çështjen ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të shpallet më 16.09.2026.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më herët dhe kjo ishte hera e dytë që shtyhej.

Në njoftimin për media trupi gjykues ishte arsyetuar se për shkak të vëllimit të madh të provave dhe kompleksitetit të procesit, kjo zgjatje e afatit të shpalljes së aktgjykimit përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes.

Të njëjtin arsyetim e kishte dhënë edhe në fund të majit 2026 duke e shtyrë shpalljen e aktgjykimit për datën 20 korrik 2026. Kurse, në fillim ishte paraparë të bëhej më 19 maj 2026.

Në shkurt të këtij viti, katër eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në gjykimin e tyre në Gjykatën Speciale.

Katërshja e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë hedhur poshtë duke u deklaruar të pafajshëm, duke u shprehur se kauza për të cilën luftuan ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Ekipet mbrojtëse kanë theksuar mungesën e provave të mjaftueshme, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shtruar pyetjet dhe ka paraqitur pretendimet përfundimtare.