Para 8 muajve Osmani e quante “arritje të mrekullueshme” çështjen e Dialogut Strategjik me SHBA që sot u pezullua
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën. Ky vendim, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë erdhi “për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet…

Lajme
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.
Ky vendim, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë erdhi “për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”.
“Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit kujdestar Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.
Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe kosovar.
E pikërisht për këtë çështje dikur deklarohej presidentja vendit, Vjosa Osmani.
Në janar të këtij viti, thoshte se Kosova dhe Amerika do të finalizojnë së shpejti një marrëveshje për dialogun strategjik mes dy vendeve.
Osmani pas takimit që kishte pasur me zv.sekretairn e Shtetit për Menaxhim dhe Burime të SHBA-së, Richard R.Verma, deklaroi se zyrtari amerikan ia kishte konfirmuar asaj se pas këkresës së bërë më 2021, Kosova dhe SHBA-të do të finalizojnë së shpejti këtë dialogu strategjik.
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”, deklaronte Osmani.
Ajo shtoi se ekipet e dy vendeve do të takohen “së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.
Osmani nuk dha më shumë hollësi.
Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.
SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj.
Osmani kishte biseduar për nevojën e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së edhe në tetor të vitit 2024 asokohe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës së tij në Kosovë.
“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, deklaroheshin nga zyra e Osmanit.
Verma ishte takuar madje edhe me kryeministrin tani në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun strategjik.
Zyra e Kurtit tha se me zyrtarin e lartë amerikan biseduan për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazë, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”./Lajmi.net/