Paquet: Kosova të adresojë menjëherë çështjen e migrimit

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Drejtoratit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim nga Komisioni Europian, Jean Eric Paquet, i cili ishte i shoqëruar edhe me Përfaqësuesin i Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Lajme

14/01/2015 14:58

Presidentja Jahjaga dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor Paquet, në këtë takim biseduan për procesin e integrimit europian të Kosovës dhe angazhimin e institucioneve të reja për të përmbushur reformat e parapara për avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Presidentja Jahjaga tha se prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet përfundimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), përmbushja e kritereve të mbetura në kuadër të dialogut për liberalizim të vizave, angazhimi i  institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, formimin e Gjykatës Speciale dhe fuqizimin e një ambienti të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të jashtme.

Ndërkaq, Drejtori për Ballkanin Perëndimor Paquet tha se është me rëndësi që Kosova t’i trajtojë me prioritet reformat e parapara në kuadër të agjendës evropiane. Ai tha se migrimi i parregullt e bën procesin e liberalizimit të vizave më të vështirë, dhe parashtroi kërkesën që Kosova të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të adresuar këtë problem, me qëllim që procesi i të konkludohet me sukses. Ekonomia gjatë këtij viti duhet të jetë prioritetet i institucioneve dhe tipar i qartë i agjendës evropiane, duke ndërmarrë reforma strukturore që garantojnë qëndrueshmërinë, hartimin e planit zhvillimor dhe adresimin e papunësisë, njofton Presidenca.