Papunësia po e mbyt ekonominë në Kosovë

Kosova ka 36.9% papunësi nga persona që janë aktiv në kërkim të punës. Nga 36 persona që hyjnë për çdo ditë në Kosovë në moshën për të kërkuar punë, 9 prej tyre gjejnë punë menjëherë, 4 vazhdojnë të kërkojnë punë ndërsa 22 të tjerët nuk kërkojnë fare punë.

Lajme

28/01/2014 18:56

Kosova ka 36.9 përqind të papunë të moshës 15-64 vjeçare dhe të cilët kërkojnë aktivisht punë, thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore për ekonominë në Europë e Azi.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters tha se norma e lartë e papunësisë dhe normat e ulëta të punësimit janë thembra e Akilit për ekonominë e një vendi.

“Në Kosovë dy shifra janë të dallueshme edhe në krahasim me rajonin. Vetëm 36.9 për qind e kosovarëve ndërmjet moshës 15-64 janë ose në punë ose duke kërkuar aktivisht punë. Nga ta 30.9% janë të papunë”.

“Norma e lartë e papunësisë dhe normat jashtëzakonisht të ulëta të punësimi janë thembra e Akilit të një ekonomie të qëndrueshme”.

“Përqendrimi duhet të jetë tek politikat që e shtojnë produktivitetin vendor dhe masa më efektive për sigurimin e vendeve të punës, me cilësi të lartë për popullatën e re të këtij vendi”.

Ministri i Punës, Nenad Rasic tha se Qeveria është e vetëdijshme për normat e larta të papunësisë, por do të mundohen që të përmirësojë dimensionet shoqërore në mënyrë që të zvogëlohet numri i papunësisë.

“Fleksibiliteti i ekonomisë në Kosovë shënon numrin më të fundit, jo më shumë se 3% të rritjes së parashikuar. Mirëpo, përkundër fleksibilitetit të arriturat e fundit konsiderohen edhe më tutje të pamjaftueshme në dimensionet afat-shkurtra dhe afat-gjata, që nënkupton se i kemi disa mos baras pesha shoqëroro-ekonomike”.

“Ne dëshirojmë që t’i përmirësojmë dimensionet shoqërore për të krijuar mundësi të qëndrueshme rritjeje që do të sillte rritje të punësimit dhe zvogëlim të varfërisë në Kosovë”.

“Siç jemi të vetëdijshëm Kosova vazhdon të jetë e sfiduar nga shkalla e lartë e papunësisë me diku 30% papunësi dhe si Qeveri ne e kemi për qëllim që të përmirësojmë situatën në tregun e punës duke ofruar shërbime cilësore dhe duke inkurajuar investimet, zhvillimin e sektorit privat, vetëpunësimin dhe masa të tjera”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit RIINVEST, Lumir Abdixhiku i cili foli më shumë për sektorin privat tha se viti 2013, për sektorin privat nuk ka qenë i mirë.

Ndër problemet që ballafaqohet ky sektor ai përmendi evazionin fiskal, infromalitetin dhe korrupsionin.

“Ne mund të kemi diskutime dhe dyshime mbi numrin ose normën e papunësisë, por çfarë mund të pajtohemi të gjithë është se numri i të punësuarve në Kosovë është relativisht i ulët”.

“Rreth 350 mijë kosovarë janë të punësuar. Kosova ka një fuqi aktive prej 60 % për të na dalë nga kjo që 30% janë të papunë, apo ka një normë të rajonit për të përfunduar në një përqindje prej 45% papunësi”.

“Sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh”

“Në  vitin 2013 54 % të bizneseve kanë deklaruar rënie, 25% nuk janë deklaruar dhe 21% kanë deklaruar rritje”

“Problemet kryesore të bizneseve janë evazioni fiskal, informaliteti dhe korrupsioni që ka të bëj kryesisht me prokurimin publik”.

Ndërkaq, Mohamed Ihsan Ajwad, i cili është ekonomist i Bankës Botërore, tha se Kosova duhet të bëj reforma për të krijuar vende të punës.

Gjithsesi ai tha se problemi më shqetësuses është se një numër i madh i kosovarëve nuk kërkojnë fare punë, dhe sipas tij ky është ai potenciali që duhet të eksplorohet.

“Sot 36 persona do t’i bashkëngjiten popullatës të moshës së punës në Kosovë. 9 prej tyre do të arrijnë të gjejnë punë dhe 4 prej tyre do të duhet që të kërkojnë punë për një periudhë të gjatë kohore. Ja ku qëndron problemi. 22 persona do të jenë joaktiv dhe me joaktiv nënkuptoj se ata nuk do të punojnë dhe nuk do të kërkojnë punë. Dhe këtu qëndron potenciali juaj i paprekur”, tha Ajwad.