“Papjekuri politike” – Mulolli thotë se LVV duhet të distancohet nga deklarata e Fatos Gecit në Kuvend

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Mulolli, ka kritikuar deklaratën e deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatos Geci, e cila u bë në Kuvendin e Kosovës gjatë një seance për energjinë, duke e cilësuar si “papjekuri politike individuale”. Mulolli, ka theksuar se deklarata e Gecit nuk duhej të kishte dalë jashtë kontekstit lokal të përplasjeve politike dhe…

Lajme

22/04/2026 17:51

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Mulolli, ka kritikuar deklaratën e deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatos Geci, e cila u bë në Kuvendin e Kosovës gjatë një seance për energjinë, duke e cilësuar si “papjekuri politike individuale”.

Mulolli, ka theksuar se deklarata e Gecit nuk duhej të kishte dalë jashtë kontekstit lokal të përplasjeve politike dhe të bartet në nivel nacional, sidomos lidhur me procesin në Hagë.

“Rasti i deklaratës, tregon një papjekuri politike individuale. Ne të gjithë e dimë që ka pasur grindje politike të asaj familjeje me individë të PDK-së, por kjo ka qenë një grindje politike në nivel lokal dhe nuk është dashur si e tillë të shfaqet në nivel nacional aq më shumë në një rast kaq të ndjeshëm politik”, u shpreh Mulolli në emisionin FIVE.

Ai shtoi se në raste të tilla kërkohet edhe përgjegjësi politike brenda koalicioneve, duke theksuar nevojën për distancim nga LVV-ja nga gjuha e përdorur dhe nga vetë deputeti.

“Është e domosdoshme që të ketë distancim i subjekteve politike… Në raste të tilla ka përgjegjësi politike si bashkëpjesëmarrës në koalicion, andaj kërkohet një distancim nga ajo gjuhë e përdorur dhe nga deputeti në fjalë”, ka theksuar ai.

Deklarata e Gecit në Kuvend është bërë gjatë debatit për energjinë, ku ai ka devijuar nga tema dhe ka folur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke shprehur dëshirën për “burgim të përjetshëm” lidhur me gjykimin në Hagë.