Papërgjegjësia qeveritare mbyll Memorialin e UÇK në Marinë

Donatorët amerikanë vendosën ta mbyllin memorialin deri në një njoftim tjetër për arsye të vandalizmit dhe shkatërrimit të madh, kurse Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr asgjë për siguri.

Lajme

07/04/2014 20:01

Kompleksi Memoriali i UÇK-së në Marinë të Skenderajt, ku në një pllakë të mermertë janë të skalitur emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve të luftës së UÇK-së nga e gjithë Kosova, është mbyllur sot me një vendim të donatorëve amerikanë.

Sponsori dhe ideatori kryesor i Memorialit të UÇK-së në Marinë, Benito Mares, i mbështetur edhe nga donatorët tjerë amerikanë, pllakën e mermertë, në të cilën ndodhen emrat e mbi 2 mijë dëshmorëve, e kanë mbuluar me pllaka llamarine të përforcuara me gozhda speciale, në shenjë pakënaqësie me Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk ka kryer obligimin e vetë karshi memorialit, përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e tij, kështu që tani ajo pjesë duket vetëm bardhë.

Donatorët amerikanë e kanë quajtur mospërfillje të turpshme papërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës, që sipas tyre, nuk ka ofruar përkujdesje dhe mirëmbajtje për Memorialin e UÇK-së, i cili i është nënshtruar një vandalizmi dhe shkatërrimi total, andaj kanë vendosur ta mbyllin.

“Të dashur vizitorë patriotë, donatorët amerikanë që ndërtuan fazën e parë të Memorialit Kombëtar të UÇK-së, janë të brengosur që Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar ndonjë shenjë të qëndrueshme që përfundimisht të marrë përgjegjësinë për të mirëmbajtur dhe ruajtur këtë vend të nderit për të gjithë burrat dhe gratë e UÇK-së, të vrarë në luftën për liri. Që kur memoriali ishte hapur në vitin 2005, të gjitha shpenzimet janë paguar nga donatorët amerikanë, duke pritur qeverinë që të bëjë punën e saj.

Ju lutemi, kontaktoni politikanët tuaj të nivelit lokal dhe atij qendror, për të përmirësuar sa më shpejtë që është e mundur këtë mospërfillje të turpshme”, thuhet në njoftimin për mbyllje të përkohshme të Memorialit të UÇK-së në Marinë, transmeton KosovaPress.