Papastërti ekstreme- Inspektorati Sanitar mbyll depon e Interexit në Vushtrri, ishte përplot produkte të skaduara e ambiente me myk
Edhe pse parashihet që marketet ushqimore të kenë kushte të mirëfillta të pastërtisë , një gjë e tillë mungon në shumë prej tyre. Mungesa e kushteve higjienike vërehet në shumë markete- edhe më tepër në depot ushqimore pastaj që lidhen me këto markete. Ngjashëm situata ishte prej shumë kohësh në njërën prej pikave të depove…

Lajme
Edhe pse parashihet që marketet ushqimore të kenë kushte të mirëfillta të pastërtisë , një gjë e tillë mungon në shumë prej tyre.
Mungesa e kushteve higjienike vërehet në shumë markete- edhe më tepër në depot ushqimore pastaj që lidhen me këto markete.
Ngjashëm situata ishte prej shumë kohësh në njërën prej pikave të depove të brendit të njohur “Interex”.
Dje (e martë), Inspektorati Sanitar i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka kryer një kontroll në një depo të rrjetit të marketeve “Interex” në Vushtrri.
Gjatë këtij kontrolli, Inspektorati Sanitar ka hasur në shkelje të rënda të kushteve higjieno-sanitare, të cilat kanë rezultuar në mbyllje të kësaj depoje, raporton lajmi.net.
“Ju konfirmojmë se më datë 03.06.2025, pas një kontrolli sanitar nga Inspektorati Sanitar, është marrë vendimi për mbyllje të përkohshme të objektit “Proex SH.P.K. – Njësia 15”, në Vushtrri, i cili operon si depo e rrjetit të marketeve “Interex”.Vendimi është marrë bazuar në Ligjin për Ushqimin (Nr. 03/L-016), për shkak të shkeljeve të rënda të kushteve higjieno-sanitare, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe sigurinë ushqimore”.
Inspektorati Sanitar për lajmi.net ka thënë se vendimi është marrë bazuar në Ligjin për Ushqimin (Nr. 03/L-016), për shkak të shkeljeve të rënda të kushteve higjieno-sanitare, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve dhe sigurinë ushqimore.
Kësisoj inspektorati ka listuar disa kushte që biznesi në fjalë duhet përmbushur, në rast se dëshiron që të vazhdohet angazhimi tutje.
“Ndaj operatorit ekonomik “Proex SH.P.K – Njësia 15” në Vushtrri janë kërkuar këto masa të detyrueshme:
- Të sigurojë hapësirë në objekt e cila i plotëson kushtet sanitare-teknike dhe higjienike;
- Të bëhet riparimi i ventilimit në nyje sanitare;
- Të bëhet rregullimi ventilimit në tërë hapësirën e depos;
- Të bëhet rregullimi i mureve (largimi i mykut/lagështisë)
- Të bëhet rregullimi i dyshemesë/pllakave;
- Largimi i pijeve dhe produkteve të tjera ushqimore nga hapësirat e jashtme dhe të ekspozuara në diell;
- Nga ruajta e produkteve me afat të skaduara me erë të rëndë, si dhe
- Gelqerosja e gjithë objektit”, ka thënë Inspektorati Sanitar për lajmi.net.
Inspektorati Sanitar ka thënë se këto mangësi të evidentuara kanë çuar në marrjen e masës për mbyllje të përkohshme me afat zbatimi deri në përmirësimin e kushteve, por jo më shumë se 30 ditë nga pranimi i vendimit.
Dje është raportuar se kjo depo është mbyllur për arsyet e njëjta të cilat i ka konfirmuar sot Inspektorati Shëndetësor i MSH-së, dhe siç është raportuar në media, aty janë gjetur edhe mall me afat të skaduar.