Papa miraton zyrën hetimore ndaj peshkopëve pedofilë

Papa Françesku ka miratuar këtë të mërkurë krijimin e një “Departamenti Drejtësie”, të paprecedentë në historinë e Vatikanit.

Bota

10/06/2015 15:25

E gjithë kjo bëhet për të gjykuar peshkopët e akuzuar se kanë mbuluar apo nuk kanë parandaluar abuzimet seksuale ndaj të miturve, duke plotësuar kështu një kërkesë kyçe të grupeve të interesit.

Në një deklaratë të publikuar nga Selia e Shenjtë, thuhet se departamenti në fjalë do të hetojë nën mbikëqyrjen apo kujdesin e Asamblesë për Doktrinën e Besimit, organi doktrinal i Vatikanit, “për të gjykuar peshkopët në lidhje me krimet e shpërdorimit të detyrës, gjatë rasteve të abuzimeve me të miturit”.

Grupet e interesit, në mbrojtje të të miturve viktima të akteve të peshkopëve, kanë bërë thirrje prej vitesh kundrejt Vatikanit që të krijojë procedura të qarta për t’i bërë peshkopët përgjegjës të veprimeve të tyre nëpër dioqezat e tyre, edhe nëse nuk janë drejtpërdrejtë përgjegjës për to.

Zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, tha për reporterët se peshkokët do të gjykohen gjithashtu edhe nëse kanë dështuar të marrin masa për të parandaluar abuzimet seksuale me të miturit.

Akuzat ndaj peshkopëve do të hetohen fillimisht nga një prej 3 departamenteve të Vatikanit, në varësi të shkeljes që kanë bërë dhe juridiksionin që mbulojnë këto zyra, përpara se të gjykohen më pas nga departamenti doktrinal.

Vatikani ka bërë të ditur se Papa ka miratuar propozimet e bëra drejt tij nga një komision që e këshillon atë, sesi ta çrrënjosë abuzimin seksual ndaj të miturve.