Pandemia, punëtoret me COVID-19, kanë marrë vetëm gjysmën e pagës

Pagesën minimale prej 170 eurove që parashihet në pakon emergjente për punëtoret e sektorit privat nuk e kanë marrë të gjithë punëtoret e këtij sektori. Kështu thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Lajme

08/08/2020 13:27

Azemi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se disa kompani kanë përfituar padrejtësisht nga pakoja emergjente, duke e gjet formën se si t’ua tërheqin paret nga paga e punëtoreve.

Gjithashtu, ai deklaroi se punëtoret që kanë rezultuar me COVID-19, kanë mbajtur pushimin e detyruar prej 14 ditësh dhe pastaj kompania e ka larguar nga puna, ose ka edhe raste kur kompania e ka paguar vetëm me gjysmën e pagës.

“Punëtorët janë tepër të diskriminuar sepse edhe pagën që e kanë marrë shtesë nga Qeveria e Kosovës, pronarët e kompanisë kanë ndenjtë kujdestarë që në njëfarë forme të tërheqin paret nga pagat tyre, me gjithë atë, ne kemi raste të shumta ku punëtorët në momente kur është pa që është me COVID, është lëshuar në njëfarë forme pushim i obliguar dhe e ka humbur edhe vendin e tyre të punës. Kemi raste kur punëtorët tërësisht janë shëruar dhe pronarët e kompanive nuk i kthejnë në vendin e tyre të punës, por kemi raste edhe kur vëllimi i punës nuk është si ka qenë dhe pronarët e kompanive i kanë zbritë pagat e tyre, por shpesh herë e kanë bërë edhe reduktimin e madh të punëtorëve”, tha ai.

Azemi deklaroi se sindikata e sektorit privat ka informacion se në disa makete, të njohura, punëtoret punojnë deri në 11 orë punë ose punojnë edhe shtatë ditë në javë.

Azemi për KosovaPress theksoi se të gjitha këto lëndë janë të proceduara në inspektorat, por ka lëndë që kanë hy në vitin e dytë dhe nuk kanë ardhur deri te përfundimi.

Ai tha se inspektorati çdoherë gjejnë arsyetime se nuk kanë staf të mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha, por nuk është e njëjta edhe për kompanitë publike, pasi që lëndet e tyre, inspektorati i përfundon brenda javës.

“Është e rëndë të thuhet por punëtorët e kanë humbur guximin dhe vullnetin se institucionet tona merren me këtë çështje reale. Në fakt në atë moment që ne procedojmë lëndët e këtyre punëtorëve, inspektorët dalin me fjalë se kemi vetëm tridhjetë e katër-pesë inspektor aktiv dhe nuk po mund ta përfundojnë këtu. Është e njohur, rastet që punëtorët në mini-markete punojnë njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë orë, por ndoshta shpesh herë punojnë edhe shtatë ditë në javë. Kemi raste kur punëtorët për ta përfituar një ditë pushim duhet me punuar dy ndërrimet e një dite që ta ketë një ditë të lirë të pushimit. Ne i kemi pjesën dërmuese të lëndëve të proceduara në inspektorat, por përfundimisht mund të themi që inspektorati ndoshta as 10 përqind nuk është duke kryer punën për çfarë kapacitetesh duhet të jetë”, tha Azemi.

Ndërkaq, kryeinspektori i punës, Ekrem Kastrati, i pyetur nga KosovaPress, përmes emailit, thënë se ka njohuri për rastet kur punëtoret punojnë deri në 11 orë dhe se nuk paguhen për orët shtesë. Ai ka thënë se kjo është sfidë për inspektoratin e punës, pasi që inspektorati nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për mbulim të terrenit.

“Nuk është kontestuese se në raste të caktuara orari punës është më i gjatë sesa orari rregullt i punës, mirëpo fillimisht iu sqarojmë se sipas dispozitës së nenit 23 të Ligjit të Punës paragrafi 1 i këtij neni, punëdhënësi ka të drejtë të zgjasë orarin e punës, ndërsa sipas paragrafit 4 të po këtij neni përveç punës shtesë të detyrueshme sipas paragrafit 1, punësuari mund të bëjë punë vullnetare në marrëveshje me punëdhënësin me kompensim të pagës sipas nenit 56 të ligjit të punës, pra sipas dispozitave në fjalë në rastet e përcaktuara si më lart nuk kontestohet e drejta për të punuar më gjatë se orari prej 8 orë. Mirëpo sa i përket pagesës së orëve shtesë, kjo çështje mbetet sfidë për IP, pasi që siç u potencua edhe më lartë IP nuk ka kapacitet të mjaftueshme për mbulimin e terenit”, tha ai.

Lidhur me disa raste kur punëtorët që kanë rezultuar me Covid-19 dhe pas pushimit të detyruar janë paguar vetëm më gjysmë page, ai ka thënë se rate të tilla nuk janë paraqitur ne IP.

“Në lidhje me kompensimin e punonjësve të prekur nga Covid 19, respektivisht kompensimit të tyre për pushimin e detyruar në vlerë të gjysmë page, iu njoftojmë se për rastet të tilla nuk janë paraqitur ankesa në IP, ndërsa nga inspektimet e rregullta po ashtu inspektorët e terrenit nuk kanë raportuar se kanë hasur në ndonjë rast. Gjithsesi në ditët në vijim gjatë inspektimeve të rregullta nëse paraqiten raste të tilla do të evidentohen në kuadër të raporteve zyrtare”, tha ai.

Kastrati shtoi se operimit me staf të reduktuar nuk po munden të realizohen me tepër inspektime në Kosovë.