Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Pandemia, izolimi dhe shoqëria – pasojat e COVID-19 në Kosovë, shqetësuese

20:03 | 11 Shtator 2020

Pandemia globale e shkaktuar nga virusi COVID-19 ka bërë që bota të hyjë në një normalitet të ri të funksionimit.

Ndryshimet në strukturat shoqërore, distanca sociale, karantinimi, maskat dhe masat e tjera parandaluese dhe luftuese të përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19 janë shndërruar në temë të ekspertëve të fushave të ndryshme, shkruan lajmi.net.

Pasojat nga koronavirusi, përveç aspektit shëndetësor dhe ekonomik – janë shtrirë për t’u trajtuar edhe në rrafshin psikologjik e social, madje po studiohen edhe dëmet që kjo pandemi mund t’i ketë shkaktuar arsimit.

Kosova gjithashtu është ndër vendet më të goditura në rajon nga koronavirusi dhe tash e 6 muaj ekzistojnë ende masa të luftimit dhe parandalimit të virusit COVID-19 të formalizuara – mosrespektimi i të cilave pasohet me gjobë nga institucionet për mbikëqyrjen e respektimit të ligjit.

Por, cilat mund të jenë konsekuencat sociale të këtij izolimi dhe të këtyre masave? Sociologu Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se pasojat sociale janë të mëdha, dhe kanë reflektuar negativisht më së shumti tek fëmijët.

Sipas tij, pandemia ka shkaktuar edhe probleme të mëdha financiare dhe ka sulmuar organizimin e mirëfilltë familjar, por gjithashtu ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të rasteve në familje.

“Pasojat sociale janë të mëdha, sidomos kjo ka reflektuar negativisht shumë tek fëmijët të cilët janë në fazën e zhvillimit, koha kur vetëm kanë filluar të bëjnë shokë dhe të dalin nga ombrella familjare. Pra, ky shoqërizim është ndërprerë me fillimin e pandemisë. Një aspekt tjetër negativ është edhe koha të cilën e kalojnë në shtëpi duke përdorur pajisjet kompjuterike dhe telefonat e tyre. Po ashtu, brengosëse është edhe obeziteti që është raportuar në rritje, rrjetet sociale e kanë bërë më të lehtë izolimin, edhe pse është një mënyrë tjetër e komunikimit. Po ashtu, si pasojë kemi edhe rritjen e enorme të rasteve të dhunës në familje të cilat vijnë nga disa arsye. E para është mbyllja dhe kontakti i vazhdueshëm dhe e dyta, problemet financiare të cilat vijnë si pasojë e pandemisë dhe janë shkaktarë kryesor i dhunës.”, tha Brajshori.

Grupmoshat e vjetra janë shumëfish më të sulmuara nga virusi COVID-19 kur flasim për aspektin shëndetësor dhe të shpërndarjes së virusit, por kur vijnë në konsideratë pasojat sociale, atëherë adoleshentët janë kategoria ku efekti ka qenë më së shumti negativ.

Brajshori thotë se ndryshimet biologjike tek kjo grupmoshë bëjnë që ato të jenë më të prekshme ndaj ndryshimeve në rendin e gjërave siç ka ndodhur me pandeminë, karantinën dhe distancimin social.

“Sa i përket moshës së adoleshencës pandemia ka efektin më negativ tek kjo kategori. Ndryshimet biologjike që ndodhin në këtë moshë sidomos tek femrat medoemos kërkojnë ndihmën e dikujt që të shprehen për problemet e tyre, gjë të cilën e kanë më të vështirë ta bëjnë me prindërit apo me anëtarë të tjerë të familjes, zakonisht këto biseda bëhen në mes të shoqërisë ku secili tregon për problemet e veta dhe mundohen ta kuptojnë njëri-tjetrin. Ngushëllimin kjo kategori e shoqërisë po e gjejnë në rrjetet sociale të cilat shpesh dinë të jenë të rrezikshme për ta, është shumë me rëndësi që prindërit të kenë kujdes të shtuar në këtë aspekt sepse kemi parë raste të rënda, fatmirësisht jo tek ne.”, tha Brajshori më tutje.

I pyetur nëse pandemia do të ketë pasoja të gjata ose qoftë të përhershme në organizimin shoqëror, Brajshori shprehet se në shoqërinë kosovare ka pak të ngjarë të ndodhë kështu.

Sipas Brajshorit, problemi më i rrezikshëm lidhur me këtë është ekonomia e cila i ka afektuar të gjithë dhe karshi së cilës do të duhet të punojmë disa vite për rimëkëmbje.

“Nëse flasim vetëm për aspektin shoqëror, besoj që tek ne që jemi popull shumë i shoqërueshëm nuk do të ketë efekte permanente, sepse e kemi parëm e lirimin e masave edhe kafenetë janë plot, pra jeta sociale ka filluar të marrë vetën dhe të vazhdojë aty ku ka mbetur por me një kujdes të shtuar. Në pikun e pandemisë nëse i shikojmë lëvizjen e masave mund të konkludojmë se rreziku për pasoja permanente është i vogël. Problemi permanent ka qenë ekonomia e cila i ka afektuar të gjithë dhe do të duhen vite të tëra rimëkëmbje, pasi që jemi edhe shteti më i varfër dhe më i izoluar i Evropës, kjo e bënë më të vështirë, mos të harrojmë se pandemia i ka gjunjëzuar edhe shumë shtete të mëdha në mbarë botën.”, tha ai.

Lidhur me ndikimin psiko-social që ka pasur mësimi online tek nxënësit por edhe nga aspekti i mësim-nxënies, Brajshori shprehet se për nxënësit kjo ka qenë diçka e re, por shumë interesante dhe kështu kanë shprehur interesim, por sipas tij problemi ka qenë tek mësimdhënësit.

Ai shprehet i brengosur për fillimin e vitit të ri shkollor, ku fëmijët do të detyrohen që të jenë brenda shkollës, pa prindërit gjë e cila mund të krijojë vështirësi.

“Mësimi online ka qenë diçka shumë e mirë dhe duhet përgëzuar që është bërë përgatitja në kohë rekord. Fëmijët të paktën për një kohë sa kanë qenë në mësim online janë ndier mirë dhe iu është dukur interesante, kjo në njëfarë mënyre e ka bërë një lidhje sado të vogël por deri diku e mjaftueshme për ta. Fatkeqësisht kemi shumë mësimdhënës të cilët nuk kanë qenë të përgatitur për mësim online dhe shumë fëmijë kanë humbur me këtë rast, op ashtu ka edhe shumë raste të fëmijëve të cilët nuk i kanë pasur kushtet që të kenë në shtëpi mjetet elektronike si laptopë apo kompjuterë dhe fatkeqësisht kanë mbetur mbrapa në fillim sepse më vonë komunat dhe MASH-i kanë siguruar këto mjete për ta. Meqenëse nuk lejohet që prindërit të futen në shkolla, këtë e pësojnë fëmijët parashkollorë dhe klasat e para që për ta është diçka shumë e rëndësishme të kenë një fillim të mbarë, pra siç dihet fëmijëve iu duhet kohë të adaptohen me ambientin e ri dhe për këtë kanë nevojë që në fillim t’i kenë prindërit pranë, kjo do të jetë sfidë e madhe edhe për fëmijët edhe për prindërit.”, tha Brajshori.

Sa i përket pasojave ekonomike, ekspertët e fushës kanë vlerësuar se Kosovës do t’i duhen vite të tëra të rikuperojë dëmet e shkaktuara nga pandemia. /Lajmi.net/