Të Infektuar: 9869

Të Shëruar: 5480

Të Vdekur: 303

Pandemi politike në kohë pandemie

12:40 | 15 Prill 2020

Tukididi konsiderohet ai i cili e përshkroi më së miri Murtajën. Ai e kishte përjetuar në lëkurën e vet atë sëmundje të rëndë të kohës por, që i mbijetoi asaj. “Njerëzit vdisnin si mizat. Trupat e tyre në agoni grumbulloheshin pirg njëri mbi tjetrin. Shikoja krijesa gjysmë të vdekura të endeshin rrugëve duke u kalamendur ose të mblidheshin rreth krojeve për të shuar etjen përvëluese. Tempujt ku gjenin strehë qenë plot e përplot me kufomat e të sëmurëve që kishin dhënë shpirt aty” shkruante Tukididi për Murtajën.

Shkruan Ridvan Emini

Kosova ashtu sikurse edhe shtetet e tjera të rajonit por, jo vetëm ato, pra thuajse i tërë globi, po vuan nga pandemia Covid-19. Lajmet nga e mbarë bota po tregojnë se kjo pandemi çdo ditë e më shumë po merr jetë njerëzish dhe imazhet që po shohim janë thuajse si ato që Tukididi i përshkruante. Përhapja e saj është bërë thuajse e pamundur të ndalohet. Në mungesë të ndonjë preparati adekuat medicinal, ajo ka mbërritur nga Wuhani kinez e gjer te Roma e te Prishtina nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, thuajse tek secili vend në botë.

Pandemia Covid-19, në Kosovë shpërfaqi edhe më shumë ‘sëmundjen’ për pushtet. Në fakt për vite me radhë mund të themi se kishim një epidemi në politikën tonë. Etja për pushtetin virtual kishte filluar gjatë viteve të ’90-ta. Simptomat më të mëdha u panë pas vitit 1999, mirëpo, pas disa vitesh përplasje me gjuhë të ulët dhe të urrejtjes dukej se ishte gjetur një ilaç dhe se në opinion dukej se gjithçka po shkonte si është më së miri. Ishin shtrirë duart e ‘pajtimit’ politik, andaj edhe kishte disa të arritura për vendin. Por, në realitet ‘sëmundja’ politike e kryente aktivitetin e saj në ‘heshtje’ duke u shpërndarë gjithandej, por se shpërfaqja e saj mungonte.

Ajo ‘sëmundje’ shpërtheu si një bombë e kurdisur, pikërisht në një moment të papërshtatshëm për vendin. Në fakt krizat në shtete nuk shpërfaqen kur ato janë më së miri, por kur janë më së dobëti. Zaten thuhet në popull se peri këputet ku është më së holli.

Tashmë duke ditur shpërfaqjen e kësaj ‘sëmundje’ në të kaluarën, mendohej se do të shpiket një ilaç i cili shëron atë. Në realitet nuk u punua as për një çast nga askush në atë drejtim. Si rezultat i kësaj neglizhence u prodhua edhe një teori e cila thotë se nuk ka ilaç që mund t’i shëroj ata politikanë e as atë ‘xhemat’ të tyre sepse, ata tashmë nuk janë në rrafshin praktik të politikës e as në atë teorik, por janë në rrafshin e spekulimit sporadik dhe në taborin e religjionit. Me një fjalë, thuhet se i kemi quar duart nga ta, në fakt ata po na thonë lani duart për ‘murrizi’ sa ma shpesh.

Çdo tentativë drejt byrove politike dhe pallateve shtetërore, është injektim me këtë epidemi. Me gojën plot e përplot me akuza se elita e vjetër politike e ka sjellur këtë epidemi, ‘elita e re’ politike  me hov të shpejt ia mësyn byrove dhe pallateve të shtetit por, rreziku çdo herë bëhet edhe më i madh për ta, ashtu siç ishte edhe për politikanët e tjerë më parë.

Nga ana tjetër, politikanët nën ethet dhe zjarrin e epidemisë, duket se aspak s’janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre. Etja e tyre është bërë e pa-kontroll, dhe kjo ka bërë, që kjo epidemi t’i kaploj edhe më fort. Orientimi i tyre i vetëm është drejt pallateve të shtetit.

Epidemia Covid-19, në Kosovë është bërë trampolinë për politikanët e ‘sëmurë’. ‘Nevoja’ për pushtet absolut dhe mbajtjen e kërrigave në tempujt e shtetit me çdo kusht nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, epshi për rimarrjen e tempujve të shtetit ka bërë që Covid-19 të jetë ‘lodra’ e vetme që mund ta përdorin dy taborret politike.

Natyrisht, qytetarët siç thotë njëri tabor apo populli siç thotë tabori tjetër, janë spektatorët e mbyllur në shtëpitë e tyre, të cilët po rrezikohen nga Covid-19 po aq sa ‘sëmundja’ politike, për të mos thënë shumë ma shumë nga kjo e fundit.