Ka një zor që “rrëshqiti” Edi Rama, vlerësojnë analistët
Përfaqësues të shoqërisë civile nga trevat mbarëshqiptare, përfaqësues të politikës në Kosovë dhe me komentues të njohur për Ballkanin dhe rolin e ri të shqiptarëve në të ishin të ftuarit e gazetares Rudina Xhunga.
Lajme
(E plotësuar) – Për analistin Mustafa Nano, deklarata e Ramës ishte e papritur. “Nuk e kam pritur patriotizmin e Ramës. Nuk di si ta quaj, mund të jetë edhe sjellje taktike që i përshtatet rrethanave dhe tenton të mbrojë avantazhet elektorale në Shqipëri”, tha ai.
Agron Gjekmarkaj tha se zakonisht të tilla deklarata, që ai e quajti nacionaliste, hidhen kur diçka shkon keq në qeverisjen e vendit dhe tentohet që përmes tyre të hidhet një shashkë. “Të njëjtën gjë bëri edhe Berisha, por në vitin e shtatë të qeverisjes së tij”, tha ai.
Arbër Zaimi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ndau të njëjtin mendim.
“Ka një gjë me Ramën, pamundësia për të sjellë një moment të ri ekonomik për Shqipërinë. Ka një problem në Shqipëri, ndaj bëhet kjo deklaratë”, deklaroi ai.
Të ftuarit thanë se deklaratat janë bërë në një qytet me simbolikë të veçantë për shqiptarët, megjithatë për ta asnjëherë shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri nuk flasin seriozisht për bashkimin.
Bashkimi, ranë dakord ata, nis përmes njësimit të ekonomisë, një programi kulturor të njëjtë dhe tregtisë.
Pallaska: Rama u nxitua, Abdixhiku: Bizneset po bllokohen nga Shqipëria
Analistit kosovar, Dastid Pallaska nuk i ka pëlqyer deklarata e Edi Ramës për bashkimin kombëtar që e tha në Prizren në një intervistë për Klan Kosova.
“Nuk më pëlqeu”, tha Pallaska duke folur për deklaratën e kryeministrit Rama për bashkim me Kosovën.
Sipas Pallaskës, bashkimi kombëtar u përket vetëm shqiptarëve dhe këtu nuk duhen përfshirë faktorët e jashtëm.
“Problemi i bashkimit ose çështja e bashkimit është një agjendë dhe një temë ndërshqiptare dhe ajo nuk do të duhej të zhvillohet në raport me asnjë faktor të jashtëm”, tha Pallaska.
Sipas mendimit të Dastidit, deklarata ishte e nxituar për një politikan të kalibrit të Ramës, por ai ceku ambientin si arsye për deklaratë të tillë.
“Mendoj se kjo deklaratë ishte tejet e nxituar dhe i shkaktoi këto probleme”, tha Pallaska.
Analisti Lumir Abdixhiku, ndërkaq, i cili ishte po ashtu mysafir në Top Channel, në debatin për “Shqipërinë e Madhe”, deklaroi se Kosova po bllokohet nga Shqipëria në aspektin ekonomik.
Bizneset e Kosovës problemet më të mëdha i kanë me Shqipërinë, tha pos tjerash Abdixhiku.
Sipas tij, “disa prej problemeve më bazike që i kanë sot bizneset kosovare me vendet e rajonit, i kanë me pikërisht me Shqipërinë”.