Palestinezët nisin të kthehen në shtëpitë e tyre pasi armëpushimi hyn në fuqi
Qindra mijëra palestinezë kanë filluar të kthehen në veri të Rripit të Gazës pas tërheqjes së pjesshme të trupave izraelite dhe fillimit të një armëpushimi të premten, më 10 tetor. Armëpushimi, i cili u arrit në Egjipt dhe hyri në fuqi në orën 12:00 me orën lokale, ka mundësuar lëvizjen e familjeve të zhvendosura për…

Bota
Qindra mijëra palestinezë kanë filluar të kthehen në veri të Rripit të Gazës pas tërheqjes së pjesshme të trupave izraelite dhe fillimit të një armëpushimi të premten, më 10 tetor.
Armëpushimi, i cili u arrit në Egjipt dhe hyri në fuqi në orën 12:00 me orën lokale, ka mundësuar lëvizjen e familjeve të zhvendosura për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, shumë prej të cilave janë shkatërruar plotësisht.
Pas njoftimit të ushtrisë izraelite për tërheqje të pjesshme nga disa zona të pushtuara në Gazë, palestinezët që ishin detyruar të largoheshin në jug tani po udhëtojnë përsëri drejt qytetit të Gazës dhe zonave të tjera veriore.
Sipas Anadolu, rrugët kryesore për këtë kthim janë rrugët Rashid dhe Salah al-Din, të cilat lidhin rajonet qendrore dhe jugore të Gazës me veriun.
Marrëveshja parasheh lirimin e 20 pengjeve nga Hamasi, brenda 72 orësh, ndërkaq më pas, Izraeli të lirojë 250 palestinezë nga burgjet izraelite.
Njoftimin për një marrëveshje armëpushimi në Gazë, e bëri të mërkurën vonë presidenti amerikan, Donald Trump, sipas planit të tij për t’i dhënë fund luftës atje.
Lufta në Gazë filloi më 7 tetor 2023 kur Hamasi hyri në jug të Izraelit duke vrarë rreth 1.200 njerëz. Si hakmarrje, Izraeli ka vrarë mbi 67 mijë palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Lufta ka zhvendosur shumë banorë të enklavës palestineze.