Lekaj vizitoi sot Suharekën dhe Rahovecin, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kryetarët e këtyre komunave

Ministri i Infrastrukturës, vizitoi sot komunën e Suharekës dhe atë të Rahovecit. I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ministri Lekaj u takua me kryetarët e këtyre komunave, ku diskutuan për planet infrastrukturore dhe aktivitetet e parapara në infrastrukturë në Suharekë dhe Rahovec, e të cilat u finalizuan me nënshkrimin e marrëveshjeve  bashkëpunuese ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Lajme

02/03/2018 16:15

Gjatë vizitës në komunën e Suharekës, i pritur nga udhëheqësi i kësaj komune, Bali Muharremaj, ministri Pal Lekaj shprehu mirëkuptim dhe mbështetje drejtuar kryetarit dhe qytetarëve të Suharekës. Në fjalimin e tij adresuar mediave, ministri Lekaj u zotua se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e fuqishme e Suharekës, në mënyrë që të gjitha projektet infrastrukturore të implementohen me kohë dhe brenda rregullave ligjore.

“Ne me kryetarin sapo nënshkruam memorandume mirëkuptimi për infrastrukturë rrugore dhe si çdoherë, jemi të gatshëm që të iu ndihmojmë komunave për infrastrukturë, e cila ka ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik, të turizmit, të lëvizjes së lirë dhe lidhjeve të koridoreve mes zonave rurale dhe atyre urbane. Ne do të jemi mbështetës të fuqishëm të të gjitha këtyre projekteve, në mënyrë që të implementohen me kohë dhe të mos ketë stërzgjatje. Ne si çdoherë dhe në çdo komunë e kemi thënë se, nuk do të gjuajmë vetëm asfalt, por do të kërkojmë edhe nga kompanitë të cilat përzgjidhen, të kenë standarde evropiane dhe këto rrugë të shërbejnë në të mirën e qytetarëve dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të komunave”, deklaroi ministri Lekaj.

Ndërkaq, kryetari Muharremaj e mbylli këtë takim duke shprehur mirënjohje dhe falënderime për punën dhe angazhimin që po bënë Ministria e Infrastrukturës për komunat e vendit.

Vizita pasuese iu bë komunës së Rahovecit. Aty ministri Lekaj u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Smajl Latifi. Njëjtë sikurse çdo komunë e Republikës së Kosovës edhe Rahoveci mori përkrahjen e nevojshme nga Ministria e Infrastrukturës, sa i përket projekteve infrastrukturore dhe realizimit të tyre. Pas takimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me kryetarin e Rahovecit, në prezencën e mediave, ministri Lekaj tha: “Në bisedime me kryetarin Latifi, u dakorduam që Ministria e Infrastrukturës t’i mbështet shumë projekte lokale, që kanë një domethënie për qytetarët dhe për Rahovecin. Ne si në çdo komunë tjetër edhe kësaj here u zotuam se do të jemi mbështetës të këtyre projekteve ekzistuese që janë në procedurë, por edhe të projekteve të tjera. Të jeni të bindur z. kryetar që ne, Ministria e Infrastrukturës, bashkë me tërë stafin, do të jemi mbështetës të fuqishëm të kërkesave tuaja si kryetar dhe nëpërmes jush, e japim një mesazh të qartë te qytetarët, që ne jemi këtu për t’i mbështetur kërkesat e tyre dhe të jeni të bindur që mbas një viti, Rahoveci do të duket ndryshe”.

Duke falënderuar ministrin Pal Lekaj, kryetari Smajl Latifi, këtë mbështetje nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, e vlerësoi si ndihmesë shumë të madhe, pasi kjo ndihmë sipas tij, do t’i ndihmojë shumë komunës së Rahovecit që të ketë një përmirësim të gjendjes në infrastrukturë , duke shpresuar kështu, që edhe në të ardhmen të vazhdojë një mbështetje e tillë. /Lajmi.net/