Pal Lekaj deklarohet i pafajshëm për hedhje të gazit lotsjellës më 2015 në hollin e Kuvendit

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015. “Jo, nuk ndihem fajtor”, u deklarua Lekaj. Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit…

Lajme

30/04/2025 11:08

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015.

“Jo, nuk ndihem fajtor”, u deklarua Lekaj.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Paraprakisht, në seancën e së mërkurës u lexua aktakuza nga prokurori Ardian Mehmeti, si dhe iu lexuan të drejtat nga gjykatësja e rastit, Edita Ҫanta.

Pas deklarimit të Lekajt rreth fajësisë, gjykatësja Ҫanta e njoftoi atë për të drejtën në kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi