Pakicat nuk lëshojnë pe për ulëset
Nenad Rashiq thotë se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për ulëset e rezervuara. Thotë se do ta përkrah çdo ide, por duke u mbështetur në parimet që do t’i prezantojnë në Kuvend. Rashiq ka regjistruar sot subjektin e tij të ri “Partia Progresiste Demokratike”.
Lajme
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se do të mbështetë çdo ide që vjen në Kuvendin e Kosovës , por gjithmonë duke u mbështetur në parimet e komuniteteve.
Ndonëse nuk e ka thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, fjala është për ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me shndërrimin Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, për të cilat komuniteti pakicë po kërkon që të përfshihen edhe ulëset e rezervuara.
Ai thotë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, dhe se do të mundohen t’i bindin deputetët e të gjitha partive që të marrin edhe një mandat shtesë për vendet e rezervuara.
“Ju e dini që ne i kemi pasur kërkesat sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve për vazhdimin e ulëseve të rezervuara dhe nuk tërhiqemi nga kjo ide. Kjo do të krijonte edhe një nivel më të larte të demokracisë në Kosovë”.
“Ne jemi absolutisht për një bashkëpunim në formë të marrëveshjes, e cila mund të realizohet brenda Kuvendit të Kosovës.
“Do të përkrahim çdo ide, por duke u mbështetur në parimet që kemi thënë se do t’i prezantojmë edhe në po ashtu në Kuvendin e Kosovës”.
“Do t’i bindim kolegët tanë brenda Parlamentit që kjo të shkojë në favor të të dyja palëve. Politika është kompromis”.
Rashiq këto komente i bëri, pasi dorëzoi aplikacionin në KQZ për regjistrim të subjektit të ri me emër “Partia Progresiste Demokratike”.
Sipas tij, ky subjekt do t’i kontribuojë edhe më shumë zhvillimit të demokracisë, sidomos në radhët e komuniteteve
“Konsiderojmë që deri më tani kemi bërë shumë çka, por ka mundur të jetë edhe më mirë”.
“Me këtë zhvillimi i demokracisë shkon në favor të të gjitha subjekteve politike, jo vetëm të komuniteteve por edhe atyre shqiptare”.
Partia e re e Rashiq do të bazohet në tri parime kryesore: zhvillimi ekonomik, komunikimi me të gjitha subjektet politike dhe drejtimi politik drejtë BE’së.