Pak para zgjedhjeve, Lista Serbe sjell këngëtaren pro-ruse “Breskvica” në një koncert në Mitrovicë
Lista Serbe ka planifikuar sot organizimin e një koncerti pak ditë para zgjedhjeve në sheshin e Mitrovicës së Veriut, pranë bustit të “Car Lazarit”. Përmes publikimit të Listës serbe në rrjetet sociale bëhet e ditur që në këtë “koncert” do të marr pjesë këngëtarja serbe me prirje pro-ruse, Andela Ignjatoviq, e njohur me emrin artistik…

Lajme
Lista Serbe ka planifikuar sot organizimin e një koncerti pak ditë para zgjedhjeve në sheshin e Mitrovicës së Veriut, pranë bustit të “Car Lazarit”.
Përmes publikimit të Listës serbe në rrjetet sociale bëhet e ditur që në këtë “koncert” do të marr pjesë këngëtarja serbe me prirje pro-ruse, Andela Ignjatoviq, e njohur me emrin artistik “Breskvica”.
Ajo njihet për interpretimin e këngës nacionaliste “Foleja e Shqiponjës”, që përmban mesazhe për “rikthimin e Serbisë në Kosovë”.
Lidhur me këtë lajmi.net, ka kontaktuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, i cili e ka konfirmuar tubimin e Listës serbe.
“E konfirmojmë se kemi pranuar informacion nga KKZ për tubimin politik në këtë kohë e në këtë vend”, ka deklaruar Elshani.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të agjendës së saj politike“Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut” si dhe shkruhet se “Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe”.
Ndërkaq Policia e Kosovës është duke monitoruar situatën. /Lajmi.net/