“Pak është plumbi për të, rroftë Kurti”-Del para gjykatës personi që kanosi me vrasje Vjosa Osmanin
Mesazhi “Mas more se ajo që e shet venin pak esht plumbi per te, rnoft Albini me popullin” i postuar në rrjetin social Facebook, e ka çuar Bekim Sylejmanin në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në seancën fillestare të së mërkurës, Sylejmani u deklaruar i pafajshëm për kanosje ndaj ish-Presidentes, Vjosa…
Lajme
Mesazhi “Mas more se ajo që e shet venin pak esht plumbi per te, rnoft Albini me popullin” i postuar në rrjetin social Facebook, e ka çuar Bekim Sylejmanin në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në seancën fillestare të së mërkurës, Sylejmani u deklaruar i pafajshëm për kanosje ndaj ish-Presidentes, Vjosa Osmani.
“Nuk e pranoj fajësinë”, ishte përgjigjja e shkurtër e të akuzuarit menjëherë pasi prokurori Besart Mustafa lexoi aktakuzën që e ngarkon atë me kryerjen e veprës penale të kanosjes.
Gjatë seancës, gjyqtari i rastit Bujar Ahmeti e njoftoi të akuzuarin se prania e mbrojtësit nuk është e detyrueshme për këtë rast. Pas kësaj, Sylejmani zgjodhi ta vazhdojë procesin gjyqësor pa praninë e ndonjë avokati.
Përfaqësuesi i të dëmtuarës Osmani, avokati Artan Qerkini, deklaroi se i bashkëngjiten ndjekjes penale kundër të akuzuarit.
Ndërkaq sa i përket kërkesës pasurore-juridike, avokati Qerkini njoftoi se nuk parashtrojnë kërkesë për dëmshpërblim, marrë parasysh gjendjen e dobët materiale të të akuzuarit.
Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, Gjykata e njoftoi atë se ka të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.