Pak ditë para zgjedhjeve, PZAP gjobit me mijëra euro PDK-në, AAK-në dhe Koalicionin Vakat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

Sa më afër ditës së zgjedhjeve, aq më e ashpër, nxitëse e gjuhë e urrejtjes po bëhet gjuha mes partive politike gjatë fushatës. E këtë gjuhë të tyre po e kontrollon Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilët po shqiptojnë gjoba të vazhdueshme ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore. Një ditë…

Lajme

06/02/2025 10:32

Sa më afër ditës së zgjedhjeve, aq më e ashpër, nxitëse e gjuhë e urrejtjes po bëhet gjuha mes partive politike gjatë fushatës.

E këtë gjuhë të tyre po e kontrollon Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilët po shqiptojnë gjoba të vazhdueshme ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.

Një ditë më parë PZAP ka publikuar gjobat e radhës që ka shqiptuar ndaj subjekteve politike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është dënuar me 2 mijë euro gjobë pas ankesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me vendosjen e flamurit të AAK-së në oborrin e shkollës “Emin Duraku” në Shtime.

LVV ka dorëzuar edhe katër ankesa ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është dënuar nga PZAP më 16 mijë euro.

Lëvizja Vetëvendosje më 3 shkurt kishte dorëzuar ankesat në PZAP lidhur me disa postime të bëra në rrjetet sociale nga disa mbështetës të PDK-së ku është përdorur gjuhë ofenduese dhe urrejtëse.

Dënimit nga PZAP nuk i ka shpëtuar as Koalicioni Vakat i cili është dënuar më 1500 euro, pas ankesës së dorëzuar nga Socialdemokratskan Unija (SDU).

Sipas vendimit të PZAP-së, subjektet politike të cilat janë gjobitur, obligohen që dënimin ta paguajnë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.