Pak ditë para zgjedhjeve lokale, Rama e shfrytëzon pushtetin në maksimum: Transporti urban falas për mijëra qytetarë të Prishtinës nga 1 tetori

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë një vendim të rëndësishëm vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Nga data 1 tetor, transporti urban në kryeqytet do të jetë falas për një kategori të gjerë qytetarësh, në kuadër të asaj që Komuna e quan “transformim i transportit publik”, transmeton lajmi.net. Sipas vendimit të ri,…

Lajme

25/09/2025 19:21

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë një vendim të rëndësishëm vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Nga data 1 tetor, transporti urban në kryeqytet do të jetë falas për një kategori të gjerë qytetarësh, në kuadër të asaj që Komuna e quan “transformim i transportit publik”, transmeton lajmi.net.

Sipas vendimit të ri, nga muaji i ardhshëm do të përfitojnë nga ky lehtësim: stafi shëndetësor (mjekësor dhe administrativ), i të gjitha institucioneve shëndetësore të kryeqytetit; stafi mësimor dhe teknik i institucioneve arsimore, përfshirë edhe çerdhet dhe institucionet parashkollore; të gjithë punonjësit e administratës komunale në të gjitha nivelet, si dhe institucionet vartëse; nxënësit e shkollave të mesme; dhe studentët e universiteteve që veprojnë në Prishtinë.

“Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura,” thuhet në njoftimin zyrtar të komunës, që e shoqëron këtë vendim me një mesazh për përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.

Ky vendim vjen në prag të zgjedhjeve lokale, dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në elektoratin urban të Prishtinës, sidomos në mesin e të rinjve dhe sektorit publik. Ndërsa komuna e paraqet si pjesë të strategjisë për një qytet më të qëndrueshëm dhe me më pak ndotje, kritikët mund ta shohin si përpjekje për të fituar mbështetje politike në momentet e fundit para zgjedhjeve./lajmi.net/