Pagesat për mbeturinat nga janari deri në maj kalojnë tek KRM “Pastrimi” – Arrihet marrëveshja mes tyre dhe Komunës së Prishtinës
Pas rreth një muaji grevë, është arritur një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes “Pastrimi” për ndërprerjen e grevës së punëtorëve para objektit të komunës. Kjo marrëveshje u bë në formë të zotimit, porse nuk u nënshkrua si dokument, raporton Kp. Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi tha se zotimi përfshinë që pagesa…

Lajme
Pas rreth një muaji grevë, është arritur një marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes “Pastrimi” për ndërprerjen e grevës së punëtorëve para objektit të komunës.
Kjo marrëveshje u bë në formë të zotimit, porse nuk u nënshkrua si dokument, raporton Kp.
Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi tha se zotimi përfshinë që pagesa e shërbimeve për muajt janar-maj të adresohen në gjykatë dhe të zgjidhet me ndërmjetësim dhe inkasimi i mjeteve për shërbimin e ofruar të bëhet nga vetë kompania “Pastrimi”.
Gjithashtu, Dushi potencoi se mjetet e inkasuara gjatë këtyre muajve në komunë të transferohen në kompaninë “Pastrimi”.
Ai potencoi se lista e konsumatorëve që kanë paguar për mbledhjen e mbeturinave do të transferohet tek kjo ndërmarrje.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë “Pastrimi”, Shpend Qosa tha se bashkërisht është arritur një zotim nga ana e nënkryetarit që këto pika të shkojnë para dhe të zgjidhen.
Ai theksoi se nëse këto zotime nuk kalojnë, punëtorët do të protestojnë sërish.
Njëri nga tashmë ish-grevistët kërkoi nga nënkryetari Florian Dushi që zotimi të nënshkruhet edhe si dokument dhe nga i njëjti kërkoi që të premtojë publikisht se do t’i realizojë ato çfarë janë premtuar.
Në maj të këtij viti, kompania “Pastrimi” ndaloi mbledhjen e mbeturinave, si pasojë e borxhit prej 2.7 milionë eurosh që pretendon se Komuna i detyrohet.
Si shenjë proteste, më 22 maj rreth 300 punëtorë u mblodhën para ndërtesës së komunës duke parkuar afërsisht 20 kamionë të kompanisë.