Pagesat e rrezikshme të Komunës së Prishtinës

Në bazë të një Memorandumi të nënshkruar në fund të vitit 2017, në mes të Komunës së Prishtinës dhe KRM “Pastrimi” nga janari i vitit 2018 faturat e mbeturinave do të paguhen në Komunën e Prishtinës, ndërkaq, “Pastrimi” do të vazhdojë të menaxhojë me mbeturinat e kontejnerëve. Por, Komuna e Prishtinës nuk po ia del që ta kryej me sukses këtë detyrë.

Lajme

30/07/2018 14:40

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” bënë mbledhjen e të gjitha mbeturinave në kontejnerët në Komunën e Prishtinës. Që nga janari i këtij viti, faturat po paguhen në Komunë. Në emër të shërbimeve të kryetarit, Komuna obligohet që ta paguaj “Pastrimi” në vlerë prej 204 mijë eurove. Por, paratë që Komuna po i mbledh gjatë një muaji janë dukshëm më pak se sa pagesat që po i kryen, shkruan lajmi.net. Rrjedhimisht, nuk dihet se nga cila kategori po i merr paratë Komuna për të paguar shërbimet për mbeturinat.

“Komuna e Prishtinës e ka bërë pagesën çdo muaj, fiks, ashtu siç e kemi të paraparë. 204 mijë euro e ka pagesën mujorë që duhet ta bëjë, dhe e ka bërë për deri më tash. Besoj që këta fundin e vitit do ta zënë.  Por, fillimi ka qenë me problem të mëdha, dhe ne e kemi ditur këtë”, tha për lajmi.net, Faim Salihu, Kryeshef Ekzkutiv në KRM “Pastrimi”.

Sipas Raportit të 6 mujorit të parë të këtij viti janar-qershor të cilin e ka parë lajmi.net, Komuna e Prishtinës nga taksa e  menaxhimit të mbeturinave ka grumbulluar 530,192.44 euro, ose 11.81 për qind të planit vjetor të vitit fiskal 2018, pasi është paraparë një shumë në total prej 4,488,750.00 eurove. Ndërkohë, po sipas Raportit të punës të Drejtorisë së financave, Komuna e Prishtinës nga menaxhmi i mbeturinave për muajin qershor ka inkasuar 147,366.33 euro, derisa në muajin maj ishin inkasuar 131,633.21 euro.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për arsyet e dështimit të grumbullimit të parave nga kjo kategori, sikundër nuk kanë treguar edhe se, nga cila kategori e buxhetit po i marrin paratë kur po bëjnë pagesën e faturave.

Secila shtëpi apo banesë në komunën e Prishtinës është e obliguar të paguaj taksën për mbeturina në vlerë prej 4.7 euro, për një muaj.  Që nga Janari i vitit 2018, fatura e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave shpërndahet nga komuna dhe një faturë përmban taksën e mbeturinave për 3 muaj, në total 14.1  euro.

Shpesh here Auditori Gjeneral e ka kritikuar Komunën e Prishtinës për pagesa të pa kontrolluara, që janë bërë nga kodet jo adekuate të buxhetit, sikundër e ka tërhequr vërejtjen për  planifikimi jo të mirë të hyrave krahasuar me tendencat paraprake  ku rrezikohet ngecje në realizimin e projekteve të planifikuara nga burimet vetjake dhe mos përmbushjen e objektivave të organizatës.

Ndërkohë, nëse nuk paguhen 3 këste të njëpasnjëshme, Komuna aplikon masa administrative ndaluese për shërbimet që ofrohen në drejtoritë si në vijim: Drejtoria e Kadastrit; Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit; Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim; Drejtoria e Financave; Drejtoria e Pronës; Drejtoria e Inspekcionit; Zyra e Prokurimit. /Lajmi.net/