Pagat në sektorin publik ende nuk janë ekzekutuar -A do të arrijnë ministritë të bëjnë zgjidhje pa drejtorin e Thesarit?

Mbi 82 mijë qytetarë të cilët thuhet se janë të punësuar në sektorin publik ende nuk kanë pranuar pagat në xhirollogaritë e tyre. Anipse është vetëm data 1, shqetësuese është fakti se pagat as nuk janë ekzekutuar. Madje sipas të gjitha informacioneve, pagat vështirë se mund të dalin edhe sot. E pjesë e kësaj bllokade…

Lajme

01/10/2024 09:24

Mbi 82 mijë qytetarë të cilët thuhet se janë të punësuar në sektorin publik ende nuk kanë pranuar pagat në xhirollogaritë e tyre.

Anipse është vetëm data 1, shqetësuese është fakti se pagat as nuk janë ekzekutuar.

Madje sipas të gjitha informacioneve, pagat vështirë se mund të dalin edhe sot.

E pjesë e kësaj bllokade janë edhe shumë qytetarë që kanë asistencë sociale, e të cilët mbesin në pritje të këtyre parave.

Edhe pse të shqetësuar tashmë janë mijëra qytetarë të cilët presin këto paga nga sektori shtetërorë, nga Ministria e Financave, por as nga vetë Qeveria nuk ka pasur as edhe një reagim.

Pavarësisht se në lidhje me këtë situatë pati deklarime nga opozita e nga njohës të çështjeve, për këtë nuk u deklaruan nga Qeveria e Kosovës.

Një “bllokim” i tillë në paga nuk ka ndodhur normalisht në sektorin publik dhe padyshim se kjo ka shfaqur shqetësim tek të gjithë

E mos ekzekutimi i këtyre pagave lidhet edhe me faktin se ka përfunduar mandate ligjor i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Thesarit.

Pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

E në lidhje me këtë, institucionet e Kosovës ishin në pritje të një opinion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për funksionimin e administratës shtetërore.

Por pavarësisht kësaj, u tha se Ministria e Punëve të Brendshme e ka dhënë një opinion se si të përdoret “karta numër dy” në këtë situatë të krijuar, e të gjendet një zgjidhje e shpejtë që punëtorët e sektorit publik mos të mbesin pa paga.

Kësisoj mbetet të shihet nëse pas udhëzimit të MPB-së, Ministria e Financave do të arrijë që sot të mundësoje dhe lejojë ekzekutimin e pagave.

Mos-emërimi e zyrtarizmi në kohë i zyrtarëve përkatës në institucione, shpesh herë ka krijuar tollovi në vendin tonë. Praktika e Qeverisë që të drejtohen institucionet me ushtrues detyre vazhdimisht po sjell telashe, sidomos tani në procesimin e pagave për zyrtarët publikë e skemat sociale./Lajmi.net/