Padrejtësi speciale në emër të drejtësisë së dështuar
Shkruan: Adil Behramaj.
Opinion
Te drama e Shekspirit, Hamleti, heroi, është një njeri i virtytshëm, që tronditet me të drejtë nga ngritja e papritur në pushtet e një sundimtari djallëzor. I përndjekur nga vizione, i pushtuar nga makthe, i vetmuar dhe i mënjanuar, ai ndien se duhet ta rindërtojë të kuptuarit e kohës për të. “Koha ka dalë nga kyçet”, thotë Hamleti!
Edhe në Kosovë koha ka dalë nga kyçet. Por, tek ne, me ndërhyrje politike, kohën e nxori nga kyçet drejtësia e tredhur ndërkombëtare. Tash, shumëkush, përfshirë edhe vetë bashkësinë ndërkombëtare, duhet ta rindërtojë të kuptuarit e saj.
Drejtori ekzekutiv i Shkollës së Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimores, profesori i njohur Ivan Sascha Sheehan, me një editorial të publikuar në “News Week” goditi Bashkimin Evropian, i cili Gjykatën Speciale e ka shndërruar në mjet për t’i kthyer pikëpamjet e veta në vepër, duke i eliminuar politikanët me të cilët nuk pajtohet. Pra, nga një gjykatë që synonte të administronte drejtësinë për krimet e së kaluarës, ajo tashmë është bërë mjet i bashkësisë ndërkombëtare për politikën e saj në të tashmen, duke e administruar padrejtësinë.
Gjithmonë ka hapësirë për ta shtruar pyetjen: sa e vërtetë është e vërteta? Por, e pakontestueshme si e vërtetë është që nuk ekziston asnjë shtet në botë, që ka qenë më bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare sesa Kosova. Shteti ynë sot është 13 vjeçar, por deri vonë ishte një foshnje e ndërkombëtarëve, që provuan ta rrisnin me “kujdestarët” me të këqij të tyre: UNMIK-un dhe EULEX-in.
Krimet e pretenduara se janë kryer gjatë luftës në Kosovë janë hetuar nga gjashtë nivele të ndryshme gjyqësore: vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Ato u hetuan dhe gjykuan nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, nga UNMIK-u, EULEX-i, Prokuroria Speciale e Kosovës (Departamenti për Krime Lufte) dhe gjykatat e Republikës së Kosovës. Krimet e pretenduara të shqiptarëve u fabrikuan, u hetuan dhe u gjykuan edhe nga vetë Serbia, e cila barbarisht kreu mijëra krime në Kosovë. Ato i hetoi dhe gjykoi Departamenti për Krime të Luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit. Por, për të mos u mjaftuar me kaq, ato u hetuan dhe po gjykohen edhe nga seria e gjykimeve me juridiksion të përzier të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.
Gjykata Speciale përbën shkallën e shtatë të hetimeve dhe gjykimeve të krimeve të luftës, që pretendohen se janë kryer nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Në zhargonin profesional ato janë gjykuar nga tri gjykata paradigmatike: Ndërkombëtare, domestike dhe modele hibride, siç janë një pjesë e vendimeve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe tash Gjykata Speciale.
Pra, krahasuar me çdo shtet, jo vetëm të ish-Jugosllavisë, por kudo që ka pasur konflikte të armatosura dhe luftëra në botë, lufta e UÇK-së ka kaluar nëpër filtra të shumëfishtë ndërkombëtarë dhe është shqyrtuar shumë herë nga mekanizmat më të avancuar të hetimeve të tyre.
Sipas të dhënave më të konsoliduara, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur gjithsej 10 812 shqiptarë, 2 197 serbë, 526 romë, boshnjakë, malazez dhe komunitete tjera joshqiptare. Këtu nuk përfshihen humbjet e jetës së fëmijëve dhe të moshuarve që kanë ndodhur për shkak të rrethanave të luftës dhe deportimit masiv nga shtëpitë e tyre të rreth 1 milion shqiptarëve. Nga forcat serbe, po ashtu, janë dhunuar edhe rreth 20 mijë femra shqiptare. Të gjitha këto krime kanë ndodhur në një territor që krejtësisht ishte i kontrolluar nga forcat serbe. Dhe, nëse krahasojmë numrin e viktimave dhe përgjegjësinë strukturore e komanduese, niveli i gjykimeve ndaj autoriteteve serbe për krimet e kryera, jo vetëm që qëndron në shpërputhje të thellë, por është edhe fyes për viktimat, familjet e tyre dhe tërë popullin e Kosovës.
Që nga përfundimi i luftës, drejtësia ndërkombëtare në emër të drejtësisë tranzicionale ka pasur qasje të papenguar në terren, në dosje dhe në dëshmitarë, me përgjegjësi absolute për zbardhjen e të gjitha rasteve. Çdo shqiptar i akuzuar prej tyre, sikurse askund në botë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, e cila i ka gjykuar dhe rigjykuar, siç nuk ndodh askund tjetër. Edhe vetë liderët shtetërorë të Kosovës, sikurse edhe në të kaluarën, sapo ua konfirmuan aktakuzat, dhanë dorëheqje dhe iu dorëzuan Gjykatës Speciale. Ndërsa, jo shumë larg nga Kosova, të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë që i kanë kaluar luftërat e nisura nga Serbia, shumë më shpejt e kanë kaluar drejtësinë tranzicionale, duke mos qenë fare bashkëpunuese me drejtësinë ndërkombëtare. Autoritetet serbe me vite të tëra i fshehën të kërkuarit e tyre nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si Karaxhiqin, Mlladiqin, Millosheviqin, etj. Madje, disave prej tyre, shteti serb ua kishte ndërruar edhe identitetin për t’i fshehur. Pra, nuk u kanë ofruar as qasje të papenguar në terren dhe drejtësinë ndërkombëtare e kanë sabotuar tërësisht, por ironikisht shumë më lehtë kanë kaluar.
Bombardimi 78 ditorë nuk mund të trajtohet si dënim që bashkësia ndërkombëtare ia ka dhënë Serbisë. Kjo nuk është drejtësi për viktimat shqiptare të luftës. Nuk është drejtësi as për Kosovën. Kriminelët serbë tash shëtisin lirshëm, jo vetëm nëpër Serbi, por në çdo shtet të Bashkimit Evropian. Ata i ushtrojnë edhe funksionet më të larta në Serbi, siç janë rasti i Vuçiqit si ish-ministër i Millosheviqit apo i Daçiqit si ish-zëdhënës i atij regjimi kriminal. Ndërsa, populli ynë, viktimë e krimeve të tyre, ndonëse Kosova ka plotësuar dyfish më shumë kritere se çdo shtet tjetër i liberalizuar, vazhdon ende të gjykohet dhe të mbetet i izoluar.
Edhe nevoja për themelimin e Gjykatës Speciale ka ardhur më së shumti si dështim i bashkësisë ndërkombëtare, sepse deri në vitin 2018 i kishin kompetencat e plota në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Duke marrë paga të majme të taksapaguesve evropianë, asaj i interesonte vetëm ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit politik. Ndërsa, as që ka bërë përpjekje minimaliste ndonjëherë për të siguruar drejtësi për viktimat e luftës. Sot, më shumë ka shqiptarë të gjykuar e dënuar në Kosovë për krime të luftës, se serbë në Kosovë e Serbi. Më krim për drejtësinë ndërkombëtare gjithnjë ka rezultuar të jetë se kush/kujt ia ka dhënë ndonjë shuplakë para dy dekadash në Kosovë, se masakrimi dhe vrasja e mbi 10 mijë shqiptarëve në mënyrë të organizuar dhe sistematike nga shteti serb. Krimet serbe mbi shqiptarët tashmë nga drejtësia ndërkombëtare po trajtohen vetëm si statistikë e luftës!
Jofunksionaliteti i drejtësisë ndërkombëtare dhe lojaliteti i lidershipit të Kosovës e ka sjellë edhe Gjykatën Speciale, e cila çdoherë e më shumë po dëshmohet si mjet politik për politikanë të padëgjueshëm dhe si nevojë e krimit të burokratëve evropianë me “jaka të bardha”, që të vjelin paga të majme në mbi 20 mijë euro dhe të blejnë prona nëpër Holandë, duke shpresuar që t’i hetojnë e gjykojnë shqiptarët sa më gjatë që të munden.
Sikur të mos ishin fshehur pas stigmës speciale “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, as aktakuza për shumicën nuk do të mund të ngrehnin. Por, duke mos pasur sesi t’u qepeshin ndryshe, veçanërisht pas rënies së pretendimeve të Dick Martyt, e gjetën këtë “model” për t’i goditur edhe themeluesit e UÇK-së, që si politikanë janë edhe themelues të shtetit të Kosovës, për t’i larguar përkohësisht dhe padrejtësisht nga skena politike, deri sa bashkësia ndërkombëtare t’i kryejë edhe do punë të vetat në Kosovë.
Kosova i ka vuajtur gjatë pasojat e trillimeve të Dick Martyt, i cili, po ashtu, ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportues i saj. Ndërsa, aktualisht, po vazhdon t’i vuajë pasojat e episodit të radhës së Bashkimit Evropian, si vazhdimësi e administrimit të padrejtësisë. Pretendimet e Dick Martyt janë hetuar shumë herë nga ekipe të ndryshme të hetuesve ndërkombëtarë dhe kurrë nuk kanë arritur t’i konfirmojnë. Por, duke i shfrytëzuar pikërisht ato pretendime, bashkësia ndërkombëtare pa e ndjerë aspak peshën e fajit dhe përgjegjësisë për ato trillime evropiane, imponuan edhe Gjykatën Speciale, ku tash ato as që i kanë përfshirë në aktakuzë.
Ndonëse pa asnjë simbol shtetëror të Republikës së Kosovës, Gjykata Speciale në Hagë formalisht është e jona, por dihet botërisht që ajo më shumë ka bashkëpunim me autoritetet e Serbisë, se me të Kosovës. Kjo nuk është aspak e re për publikun, sepse bashkëpunimi i drejtësisë ndërkombëtare me drejtësinë kosovare asnjëherë nuk është zhvilluar dyanshëm dhe simetrikisht.
Bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur bashkëpunim efektiv as me gjyqësinë vendore për krimet e luftës. Qysh nga transferimi i dosjeve dhe informacioneve të Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, në përputhje me Strategjinë e Kompletimit, nuk ka pasur asnjë transfer tek institucionet e Kosovës. Ndërsa, 11 dosje i janë transferuar Bosnje e Hercegovinës, 1 dosje Kroacisë dhe 1 dosje Serbisë. Tek vonë tash, pas themelimit të Gjykatës Speciale dhe rënies drastike të kredibilitetit të EULEX-it, kanë nisur disa transferime të lëndëve për krime lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Nëse Kosova sot na paska deficit në gjyqësor, pikë së pari ky është dështim i vetë faktorit ndërkombëtar që administroi me drejtësinë plot dy dekada në vendin tonë. UNMIK-u dhe EULEX-i, ndër të tjera, kishin përgjegjësi t’i zhvillonin dhe fuqizonin kapacitetet e institucioneve tona të drejtësisë. Dhe, nisur nga fakti që nuk po u besojnë institucioneve që vetë i kanë ndërtuar, pavarësisht investimeve qindra milionëshe, bashkësia ndërkombëtare po e konfirmon vetë dështimin e saj.
Sot, po kjo bashkësi ndërkombëtare, duke na e dhënë shembullin më të keq sesi drejtësia ndërkombëtare është e politizuar, më ndërhyrjet e saj na e nxori kohën nga kyçet edhe në Kosovë. Megjithatë, ajo si duket nuk e ka kuptuar që reformimi i skenës politike nuk mund të bëhet asnjëherë me ndërhyrje të jashtme, por me rigjenerimin e kuadrove të partive politike dhe institucioneve publike.
Tash kur padrejtësia është bërë pasqyrë e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ka ardhur koha që edhe vetë ta rindërtojnë të kuptuarit e kohës së tyre.