Pacolli thotë se ka pranuar një letër nga Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo

Ministri i Jashtëm, Pacolli, pranon letër falenderimi​ nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, vlerësohen marrëdhëniet strategjike dhe speciale në mes dy vendeve.

Lajme

20/06/2018 19:35

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pranuar një letër falenderimi nga homologu i tij amerikan, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Në letrën e falenderimit, Sekretari i Shtetit, Pompeo, i ka përcjellur falenderimet Ministrit të Jashtëm, Pacolli, për urimet, që kryediplomati kosovar i kishte dërguar me rastin e betimit të tij si Sekretar i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur përkushtimin për Kosovën dhe duke ri-theksuar vazhdimin e bashkëpunimit të palodhur me parnerët ndërkombëtarë për të krijuar një botë më të sigurtë dhe më prosepruese për gjeneratat që vijnë.

“Në frymën e miqësisë dhe aleancës së përjetshme, sot pranova një letër nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Sekretari Pompeo, duke treguar përkushtimin e palëkundur për Kosovën si partner strategjik, potencon faktin, që ShBA do të vazhdojë të punojë ngushtë me ne dhe të gjithë partnerët për një botë më të sigurtë dhe më prosperuese. Jam shumë i lumtur, që Sekretari, Pompeo, që në fillimet e angazhimit të tij, tregon kujdes të veçantë për Kosovën, e cila është e bekuar, që të ketë një mbështetës dhe vend aleat sikurse ShBA. Si Ministër i Jashtëm, jam i vendosur dhe i përkushtuar për ta kultivuar dhe fuqizuar marrëdhënien tonë speciale dhe strategjike me ShBA-të”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli./Lajmi.net/