Pacolli për koalicionin ARK-PD-Lista e Familjes: Bazohet në mbrojtjen e vlerave patriotike, të familjes dhe të drejtat e njeriut

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka njoftuar sot për koalicion AKR-PD-Lista e Familjes e cila do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka shkruar për vlerat e partisë që udhëheq dhe arsyet pse ka zgjedhur të bëj këtë koalicion. “AKR, një parti e dëshmuar për frymën liberale, e…

Lajme

02/10/2024 20:14

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka njoftuar sot për koalicion AKR-PD-Lista e Familjes e cila do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka shkruar për vlerat e partisë që udhëheq dhe arsyet pse ka zgjedhur të bëj këtë koalicion.

“AKR, një parti e dëshmuar për frymën liberale, e paster si loti, ka vendosur që në këto zgjedhje të hyjë në koalicion me Partinë e Drejtësisë dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët që nga fillimi janë përballur dhe kanë ngritur zërin për mbrojtjen e vlerave të shenjta të familjes shqiptare. Jemi dëshmitarë se në këtë periudhë, familja është duke u përballur me sfida të pazakonta, që kanë për qëllim tjetërësimin e kulturës dhe zakoneve tona tradicionale dhe patriotike. Familja shqiptare, si shtylla kryesore e ekzistencës së kombit tonë, ka qenë dhe duhet të mbetet në harmoni të plotë me zakonet fetare, qofshin ato islame, katolike apo të religjioneve të tjera. Mbi këto shtylla është ndërtuar edhe tradita dhe qenësia e kombit tonë.”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka thënë se sfidat e pakuptimta dhe të çuditshme, tendenca për të minimizuar rolin e prindit, ndërhyrja në të drejtën legjitime të çdo individi për të shprehur mendimin e tij, mohimi i së drejtës për veshjen e lirë, dhe promovimi i një servilizmi, na shtyjnë që, si parti, së bashku me partnerët tanë, të ngremë zërin dhe të themi qartë: ne aspirojmë integrimin në Evropë, duke ruajtur tiparet dhe karakteristikat origjinale që na kanë identifikuar si komb për dekada të tëra.

Sipas tij, këto sfida rrjedhin nga ekonomia e dobët të cilat po e kthejnë shoqërinë tonë në një shoqëri të varur dhe servile.

“AKR, së bashku me partnerët e koalicionit, do të paraqesë një program ekonomik të nevojshëm për Kosovën, një program krejtësisht liberal, ku shteti dhe operatorët ekonomikë kanë detyra të qarta dhe të përcaktuara mirë, që nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, duke mos lënë hapësirë për korrupsionin që ka kapluar sistemin tonë. Me këtë, dua të theksoj se përveç ruajtjes së vlerave, ky koalicion bazohet në mbrojtjen e vlerave patriotike, të familjes dhe të drejtave themelore të çdo njeriu, i mbështetur nga një program ekonomik tërësisht i përcaktuar, që i nevojitet Kosovës dhe që do të prezantohet shumë shpejt”, ka shkruar Pacolli. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: